
Adelajda Xhamani, gazetare në median audiovizive dhe në atë të shkruar, u nda nga jeta në orët e para të mëngjesit të së dielës, si pasojë e një ataku kardiak, shkaqet e të cilit janë ende të paqarta. Me qindra kanë qënë lamtumirat drejtuar saj në rrjete sociale. Nuk mund të mungonte edhe lamtumira e Bjordi Mezinit, i cili sëbashku me Adelën u bë i njohur në edicionin e dytë të Big Brother Albania.
Historia e tyre e dashurisë nisi pikërisht 8 vite më parë, në Big Brother. Shqiptarët u bënë dëshmitar i ndjenjave të tyre, stepjeve dhe ngurrimeve për të jetuar të lirë historinë e dashurisë që do të vazhdonte edhe tre vite të tjera jashtë mureve të shtëpisë.

Mesazhi i plotë dedikuar Adelës:
"Ti e di se sa të vështire e kam këtë pjesë, sepse jam natyrë cinike, dhe jam e tillë pikërisht për të mos u përballur me momente si ky. Ti e di që nuk më pëlqen të flas publikisht, sidomos kur bëhet fjalë për çfarë ndjej, por në fund të fundit kur filluam aventurën tonë sëbashku e kemi bërë përballë të gjithëve ndaj dhe për këtë arsye përballë të gjithëve më duhet të them se çfarë ndjej.
Dhe pse kundër natyrës time po i shkruaj këto fjalë për ty, për respekt të të gjithë atyre që të kanë dashur, të gjithë atyre që nuk ngopeshin me ty, sepse iu fute aq thellë në zemër sa asnjeri më parë nuk e ka bërë. Në këto momente nuk di çfarë të mendoj e nga t’ja nis, koka më mbushet me kujtime dhe sytë me lot.
Adel më vjen shumë inat. Më vjen inat sepse je personi më i fortë që kam njohur. Nuk e kam kuptuar kurrë se ku e gjeje forcën të përballoje çfarë ke përballuar gjatë gjithë jetës tënde. Më vjen inat sepse ke luftuar, gjithmonë, dhe kjo jo në mënyrë figurative, ti ke luftuar vërtet për çdo gjë që arrite në jetë dhe sikur mos të mjaftonte, arrite të frymëzoje një gjeneratë të tërë me forcën tënde. Linde në një botë shumë të vogël për ty dhe luftove aq shumë për të zgjeruar kufijtë e botës tënde sa asnjë njeri tjetër që kam njohur. Kur kuptove që kjo nuk mjaftonte fillove të luftoje për të ndyshuar veten tënde dhe pak veta jane kaq të zgjuar dhe të guximshëm për ta bërë këtë.
Linde në një bote shumë të egër Adela, një botë që gjithsesi ka humbur çdo betejë kundër teje, sepse nuk e dinte kë kishte përballë. Kjo botë nuk e dinte që Adela nuk ka frikë nga asgjë, por kësaj rradhe nuk kishe se si të fitoje Adel, sepse u luajt jashtë rregullave, dhe ishte e vetmja mënyrë për të të mundur. Adel nuk jam i mirë me fjalët dhe ti e di se sa pak natyrë spirituale jam, do të doja të kisha thënë shumë më shumë, por më beso kur të them që dhe kaq paska qenë tmerrësisht e vështirë. Faleminderit Zemër, për çdo gjë dhe më fal, për çdo gjë.”







