Media të ndryshme në botë dhe kryesisht në Gjermani i kanë kushtuar artikuj të ndryshëm zgjedhjeve të 30 qershorit në Shqipëri. Media prestigjioze në Gjermani Frankfurter Allgemeine Zeitung, ka folur për situatën politike në vend dhe e ka nisur artikullin e saj me titullin: “Zgjedhje pa kandidatë të opozitës”.

FAZ ka treguar se si opozita ka mohuar të futet në zgjedhjet e 30 qershorit dhe se si PD që nga shkurti ka kërkuar largimin e kryeministrit Rama.

“Grindja për zgjedhjet lokale në Shqipëri, bojkoti parlamentar i opozitës, si edhe procedura kundër presidentit Meta për shkarkimin nga posti janë shenja të tjera të ashpërsimit të krizës kushtetuese që vazhdon prej muajsh në Shqipëri. Gjykata Kushtetuese në vend është e paaftë për vendime prej afër një viti, sepse në rrjedhën e një procedimi të udhëzuar nga BE për verifikimin e prokurorëve dhe gjykatësve, shumica e gjykatësve kushtetues ose u shkarkua ose u dorëhoq….Komisioni Europian nga njëra anë e ka vlerësuar përparimin e Shqipërisë në drejtim të reformës në drejtësi, nga ana tjetër është përgjegjës jo drejtpërdrejt për faktin, që Shqipëria sot faktikisht nuk ka gjykim kushtetues dhe për këtë arsye nuk e përmbush dot një kusht thelbësor për hapjen formale të negociatave të anëtarësimit”, shkruan analisti i FAZ, Matthias Rüb.

Përveç mediave gjermane, edhe gazeta e njohur austriake “Der Standard” ka shkruar dy rreshta për vendin tonë duke thënë: “Zgjedhje pa mundësi zgjedhjeje në Shqipëri”, nënvizohet se në Shkodër në zgjedhjet lokale kishte vetëm një kandidat për të zgjedhur, në një kohë që opozita bojkotoi dhe shumë vetë qëndruan në shtëpi. “Zgjedhjet në Shqipëri janë para së gjithash demonstrim besnikërie për parti të caktuara, të cilat të mundësuar një punë në administratë. Shumë njerëz kanë humbur besimin tek të gjitha partitë në Shqipëri”, shkruan korresponndetja e gazetës “Standard”.
Burimi:BW.






