Nga Shqipëria / E Diel 16 Qershor 2019, 21:09

Mbipeshë apo me hundë të madhe? 10 VIP-a shqiptarë që na frymëzojnë ta duam veten

Duke qenë se jetojmë në botën e ndërhyrjeve plastike është e pamundur të mos i kemi thënë të paktën një herë vetes: Po sikur ta bëja këtë? Mos do ngjaja më bukur kështu apo më mirë siç jam? Të gjitha pasiguritë apo mospëlqimet që kemi ndaj vetes, sot shumë thjesht mund t’i rregullojmë me ndërhyrje estetike dhe VOILA ja ku bëhemi me një pamje të re. Por VIP-at që ju sjellim sot në këtë artikull nuk kanë fare të bëjnë me këtë. Ata madje na kanë dhënë edhe ne vetëbesim t’i pranojmë imperfeksionet. Këta VIP-ave nuk iu plas fare ç’thonë të tjerët e madje detajet për të cilat do i përmendim i kanë bërë edhe më të bukur e më të veçantë.

E nisim me Fifin dhe Uindin. Të dyja i bashkon fakti që janë mbipeshë, por asnjërës prej tyre nuk i bëhet vonë. Fifi e ka treguar gjithnjë se i pëlqen vetja siç është dhe nuk i ka interesuar kurrë për fjalët e të tjerëve. “Kur njerëzit më thonin dobësohu, unë shtoja 20 kg. Të më vinte turp prej kilogramëve isha dobësuar”, ka thënë Fifi.

Nga ana tjetër Uindi ka vërtetuar se të jesh mbipeshë, je gjithashtu edhe një femër superseksi. Edhe pse merr shpesh komente për peshën, fotot e videot e saj ku ekspozon format marrin mijëra shikime dhe i kanë lënë gojëhapur padiskutim të gjithë djemtë që e ndjekin. Uindi me postimet e saj i ka dhënë vetëbesim shumë fanseve duke i treguar ta duan trupin e tyre siç është.

Emina Çunmulaj dhe Isida Mollaymeri. Njëra modele me famë botërore dhe tjetra balerinë profesioniste, të dyja kanë marrë komente negative për hundën e tyre, por pikërisht ky tipar i bën ato edhe më të bukura. “Nuk jemi të gjithë perfekt. Jam e kënaqur me hundën time siç ma ka fal Zoti. Sa më e madhe hunda, më kollaj merr frymë”, ka thënë Emina.

“Ma thonë shumë veta punën e hundës por mua më pëlqen shumë kjo hunda ime. Zoti më pikturoi kështu dhe dora e njeriut po të punojë mbi pikturën e tij veç do mund ta shëmtojë, asnjëherë s’do e bënte më të bukur”, është shprehur Isida.

Teksa shumica e vajzave të showbizit po i fryjnë buzët, Mariza Ikonomi bën diferencën. Unike me stilin dhe muzikën e saj, Mariza e ka fituar vëmendjen e publikut me talentin e jo me skandale. Këngëtarja është shprehur se ndihet shumë mirë me buzët e holla dhe se nuk i pëlqejnë ndërhyrjet estetike. Mariza me pamjen e saj është padyshim një Carla Bruni shqiptare. “Jam kundër ndërhyrjeve estetike dhe gjithmonë më kanë pëlqyer gjërat jo perfekte, ato më janë dukur edhe më të bukura. Ndihem shumë mirë kështu si jam dhe jam krenare që i ngjaj mamasë sime, me buzët e holla si ajo, me hundën me pak gungë dhe me sytë e vegjël si ajo. Kënaqem kur më thonë që jam kopja e saj dhe s’e kam pasur asnjëherë si qëllim që të dukem yll në sytë e të tjerëve”, është shprehur Mariza.

Arbana Osmani, moderatorja shumë e dashur për publikun dhe ndër më të ndjekurat në ekran me spektaklet e emisionet që ka drejtuar, ka qenë gjithashtu në shënjestër të komentuesve për një tipar të saj. Bëhet fjalë për dhëmbët të cilët ndonëse moderatorja nuk i ka perfekt, ia bëjnë qeshjen më të bukur. “Nuk do ndaloj kurrë së qeshuri”, është përgjigjur Arbana kur një fanse i përmendi dhëmbët. Dhe në fakt moderatorja nuk ka rreshtur kurrë së qeshuri duke na përcjellë gjithnjë pozitivitet.

Flokët janë një tipar shumë i rëndësishëm për pamjen, por kjo nuk vlen për dy aktorët shumë të dashur për publikun, Flor Binaj dhe Salsano Rrapi. Të dy janë qeros dhe shumë të pashëm. Së fundmi personazhe të njohur kanë vendosur të mbjellin flokët, por Flori dhe Salsano nuk e kanë bërë dhe ne vërtet na pëlqejnë më mirë kështu.

Fiori Dardha mbetet prej vitesh një nga gazetaret më të suksesshme shqiptare e që gjithmonë ka ngritur zërin për çështje me rëndësi. Fiori është pjesë e këtij artikulli për shkak të syzeve. Moderatorja del në ekran gjithnjë me syze dhe ato padiskutim i japin shumë karakter.

Një detaj që ka rënë gjithnjë në sy tek Adelina Ismajli është vetulla e saj e majtë e cila është e prerë në mes. Duket sikur këngëtarja e ka prerë me qëllim por në fakt ajo është një shenjë e përhershme që ka mbetur pas një sherri me motrën e saj kur ishin të vogla. Vetulla e prerë e Adelinës ka mbetur një detaj i përsosur në pamjen e saj dhe e ka bërë më tërheqëse./Xing.al