Nga Shqipëria / E Diel 9 Qershor 2019, 12:12

Rama-Metës: E shkrove fatin, s’ke të drejtë të rrish më në atë zyrë

Ditën e djeshme, presidenti Meta lajmëroi se kishte vendosur të shfuqizonte dekretin për zgjedhjen e 30 qershorit. Kryeministri Rama nga ana tjetër reagoi menjëherë duke thënë se zgjedhjet nuk do të shtyhen dhe do të mbahen në 30 qershor pavarëshit vendimit të Metës.

Ditën e sotme, Edi Rama ka vazhduar me takimet me qytetarët dhe nga Burreli ka paralajmëruar Presidentin Meta duke thënë se ai do të largohet pasi ditën e djeshme shkroi fatin e tij dhe nuk ka të drejt të qëndrojë më në atë zyrë.

Kryeministri e ka cilësuar vendimin e anulimit të zgjedhjeve ligjërisht nul dhe moralisht turp dhe e ka cilësuar presidentin Meta si shpëtimtar të atyre që kishin mbetur në rrugë.

“Dje papritur për shumëkënd por krejtësisht sipas parashikimeve tona dhe të mia, u shfaq shpëtimtar i atyre që kishin mbetur atje në rrugë, as më shumë e as më pak por Presidenti i Republikës duke paralajmëruar një akt që politikisht është vetëvrasje, ligjërisht është nul, nuk ekziston dhe moralisht është turp si s’ka më turp”, deklaroi Rama.

“Dhe mos u çudisni nëse ju them se nga fronti i shpëtimtarit të opozitës s’kemi parë gjë akoma. Nuk është çmenduria e fundit do ketë edhe të tjera por ama një gjë është e sigurt. Do apo s’do Saliu, do apo s’do Iliri, do apo s’do Lulzimi, do apo s’do filaxhani zgjedhjet do mbahen më 30 qershor.
Kushtetuta e Republikës nuk është filaxhan që rrotullohet, zgjedhjet nuk janë lloj i kafes turke që e kthen përmbys bashkë me filxhanin. Fatin e tyre politikanët e shkruajnë vetë. Dje Ilir Meta ka shkruar fatin e tij, si një president që e ka humbur të drejtën të qëndrojë në atë zyrë. Të gjitha ata që udhëheqin lëvizjen Rama ik, do ikin një nga një vetë”, përfundoi kryeministri.

Burimi:Balkanweb.com.