Ritfolk ka qenë një nga grupet rock më të dëgjuar në vitet ’90. Në vitin 1991 ata morën pjesë në Festivalin e RTSH-së me këngën “Ëndërroj” dhe arritën të fitonin çmimin e parë të grupeve. I ftuar mbrëmjen e sotme në “Xing me Ermalin”, anëtari i grupit, Altin Goci ka treguar se prezantuesja e RTSH-së asokohe, Rudina Magjistari harroi t’i jepte çmimin e parë.

“Atë vit në festival u bë për herë të parë një natë me grupet e reja dhe tre netët e tjera me këngët e festivalit. Nga nata e parë 4 grupe u kualifikuan për finalen e madhe. Nga këto 4 grupe ne fituam çmimin e parë. Ka pasur një të fortë atë natë sepse nga fundi i festivalit kur po ndaheshin çmimet na thanë dilni prapa skene sepse keni fituar ju çmimin e parë për grupet.

U gëzuam dhe po prisnim të merrnim çmimin. Prit e prit ne kur dëgjuam spikeren ne: Faleminderit dhe Natën e mirë. Pra harruan. Ndodhi dhe një lloj ngatërrese, debati për çmimet e tjera. Ne na harruan fare. Ishim 17, 18 vjeç dhe gati na vinte të qanim. Na kërkuan falje dhe thanë që do na i nxjerrin me titra për vit të ri. Prezantuese ka qenë Rudina Magjistari. Por nuk e mbaj mend nëse natën finale ka qenë edhe dikush tjetër”, tregoi Altini.

Festivalin e 30 të RTSH-së e kanë prezantuar Ema Andrea, Leon Menkshi dhe Rudina Magjistari.





