Me siguri ju kujtohet djali nga Shkodra, Rudens Gega, i njohur nga të gjithë me emrin Rudi. Ai u prezantua për herë të parë me publikun në rang kombëtar në festivalin “Këngët e stinës”, me këngën “S’ke pse mendohesh”. Në gusht të vitit 2003, Rudi solli hitin “100% shqiptar”, me të cilin fitoi zemrat e shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, duke u kthyer në një ndër reperët më të njohur në Shqipëri.

Prej vitesh ai është larguar nga skena shqiptare dhe nuk ka sjellë më projekte të reja në muzikë. Tashmë Rudi jeton në Michigan të Shteteve të Bashkuara, ku ka studiuar për Shkenca Politike e Sociale në Fakultetin e “New Hampshire” në Manchester.

Reperi vazhdon të jetë aktiv në rrjetin social Facebook, ku qëndron në kontakt me fansat e tij dhe ndan vazhdimisht foto të ndryshme nga përditshmëria. Ai gjithashtu komenton here pas here zhvillimet e fundit në Shqipëri, për të cilat mesa duket është një ndjekës i rregullt.

Ndër këngët e tij më të njohura të cilat fituan zemrat e publikut shqiptar, përmendim “Mendoja se”, “Për një vajzë që di të dojë”, “Tipa si puna jote”, “Ça ban Rudi”, “Mos u llastoni”, “Love Story” etj./Xing.al





