Përpos se ka dhënë kontribut të veçantë në ministrinë që drejton, Blendi Klosi është edhe një bashkëshort dhe baba i përkushtuar. Ai është i martuar prej 12 vitesh me producenten Nora Gega dhe kanë dy fëmijë, Aronin, 9 vjeç dhe Amlën, 6 vjeç.

Blendi ishte i ftuar pasditen e sotme tek "Rudina" ku foli më shumë për lidhjen me Norën, dasmën e tyre dhe marrëdhënien me Aronin dhe Amlën.

Gjatë emisionit në ekran u shfaq një kolazh me fotot e tyre familjare dhe Blendi me sytë me lot u shpreh se të kesh fëmijë është bekim e meraku i tij i vetëm është koha që nuk kalon me ta.

"Po plakemi dhe emocionet po na shtohen, po e lëshojmë veten. Unë tani po zbardhem, por fëmijët po rriten kaq shpejt. Kemi kaluar shumë bukur dhe fëmijët janë mbarësi në jetë, është bekim nga perëndia kur bëhesh me fëmijë. Nga puna në politikë kam merak faktin që nuk kaloj shumë kohë me fëmijët. Të dielat i kemi me familjen", u shpreh Blendi.

Ministri tregoi se dëshiron që djali të bëhet sportist ndërsa vajza doktoreshë.

"Nuk dua që të bëhet politikan sepse kërkon impenjim të madh dhe nuk të lejon të jesh vetvetja. Do të doja të bëhej basketbollist, notar, thjesht një sportist i mirë. Amla ka një prirje të veçantë për aktore. Unë i them të bëhet doktoreshë sepse të gjithë prindërit kështu duan, që fëmijët e tyre të bëhen doktorë dhe t’iu shërbejnë", u shpreh Blendi.








