Bashkia e Tiranës ka hapur sot tregun e parë publik të rrobave të përdorura me qëllim nxitjen e vetëpunësimit të komunitetit rom. Tregu i rrobave të përdorura ndodhet në Shkozë ku kryebashkiaku Erion Veliaj shkoi sot për ta inspektuar dhe ftoi komunitetin rom dhe egjiptian ta shfrytëzojnë ketë mundësi.

“Në këto 4 vite kam mësuar se njerëzit ndahen në dy kategori: ata që bëjnë gam-gam për çdo gjë dhe njerëzit që bëjnë punë. Sa herë që kemi pasur një sfidë që duhej zgjidhur kemi preferuar të mos jemi nga ata që bëjnë seminare, konferenca, trajnime, workshope e raporte; sa herë ka qenë nevoja për të zhvendosur një treg nga Bregu i Lumit, në Lanabregas, në Shkozë ose të strehojmë njerëz në banesa sociale, këtë kemi bërë”.

“Ftesa për të gjithë anëtarët e komunitetit që shesin rroba të përdorura është të vijnë në këtë treg; siç larguam ata ambulantë që shisnin në rrugë dhe në fillim kishte histeri, por sot shihni se sa mirë janë duke shitur në tregjet e bashkisë, të njëjtën histeri presim edhe për këtë zhvillim. Por, histeria zgjat pak, e vërteta, fakti, prova, puna zgjat shumë. Kështu që, pasi të kalojë histeria, do largohemi nga cepat e rrugëve, nga kryqëzimet, nga pluhuri, nga dherat, nga trafiku dhe do shesim në një treg të tillë. Më vjen mirë që ende pa u hapur mirë, tregu është plot”, u shpreh Veliaj.
Burimi: Abcnews.al







