Ka qarkulluar me shpejtësi ditën e sotme një video e zv.ministres së arsimit, Lorena Haxhiut e cila gjatë një fjalimi u shpreh: "Çfarë do të korrni, do të mbillni".

"Është e rëndësishme t’ia nisni me punë sepse atë që ju do të korrni, atë do të mbillni në të ardhmen. Suksese të gjithëve dhe faleminderit", tha Haxhiu.

Zv. Ministrja me anë të një postimi në rrjete sociale sqaroi se portalet e kanë nxjerrë jashtë kontekstit fjalën e saj.

"Ka tekst, por ka edhe kontekt"- citonte dikur një profesori im në auditoret e fakultetit. M’u kujtua sot, teksa portalet e futën në makinerinë e tyre dhe e nxorrën të deformuar e jashtë kontekstit fjalën time të djeshme në çeljë të Panairit të Punës.
“Atë që ju do të korrni (në panairin e punës), atë do të mbillni dhe në të ardhmen (në tregun e punës)!” ishte fjalia ime përmbyllëse drejtuar të sapodiplomuarve, teksa prisnin të vizitonin stendat, për të korrur frytet e punës së tyre, pas vitesh të tëra studimi, lodhjeje, mundi e sakrifice. Duket që nuk paska patur mjaftueshëm lajme të këqija dje… Përpjekje e bukur", shkruan Lorena Haxhiu.






