Nga Shqipëria / E Hënë 8 Prill 2019, 09:09

La muzikën për të dashurën, Noizy bën gjestin e papritur për këngëtarin shqiptar

Mbrëmjen e djeshme në emisionin e Roza Latit, "Why Not" ka qenë i ftuar këngëtari i njohur shqiptar Altin Sulku i cili ka rrëfyer më shumë të pathëna nga jeta e tij. Teksa ka treguar për karrierën e tij, Altini ka rrëfyer se në 2007 vendosi të shkëputej nga muzika për shkak se partnerja e tij nuk ishte mirë nga gjendja shëndetësore dhe ai duhet t’i qëndronte pranë.

Megjithatë  ndonëse nuk kishte ndërmend të rikthehej, arsyeja se përse Altini vendosi të mos hiqte dorë nga muzika ishte reperi i njohur Noizy.

“Nga 2007 u shkëputa për një periudhë 6-7 vite që nuk më bëri mirë për karrierën. Pata një pauzë për arsye familjare, gjë që nuk duhet ta bëja, por e bëra. Pati disa probleme të vetat shëndetësore dhe ne kur këndojmë, këndojmë me pasion. Unë asaj kohe, nuk isha shpirtërisht tek muzika, por tek ai njeri që kishte problemet e veta”, ka treguar Altini, ndërsa më vonë ka shpjeguar se si Noizy e riktheu në muzikë. 

“Unë e kam thënë dhe e them vazhdimisht që Noizy-n, e kam djalë daje, ka qenë një shtysë e madhe. Kur do bënim klipin e parë ishim rrugës për Kosovë, do ta xhironim atje. Rrugës i them, dëgjo, unë kot po merrem, më mirë të iki diku jashtë, se tani ka ndryshuar stili”. Çfarë thua më tha? Ti e ke zërin shumë të mirë. Ti do këndosh zhanerin tënd, jo hip hop. Mbështetjen time do e kesh gjithmonë dhe shiko cfarë do bësh pas nja 2-3 vitesh. Duhen 2-3 vite punë”, tha Sulku.