Ndonëse shqiptarët janë një nga popujt që kanë pronësi të shtëpive ku jetojnë së fundmi ka rezultuar se ata kanë mungesë të hapësirave dhe të kushteve minimale si për shembull një tualet apo dush brenda në shtëpi.

Sipas një ankete të zhvilluar nga Komisioni Europian, lidhur me cilësinë e jetës ,17% e të anketuarve kanë pohuar se nuk kanë një tualet apo dush brenda në shtëpi. Ndërsa rreth 43% e të pyeturve kanë rrëfyer se nuk kanë hapësir të mjaftueshme në shtëpi.
Gjithashtu të anketuarit nga Shqipëria janë përgjigjur se kanë 2 dhoma një numër shumë i vogël ky lidhur me vendet e tjera të Bashkimit Europian.

Shqipëria mban vendin e parë edhe për cilësinë e dyerve, dritareve dhe dyshemesë, ku sipas të pyeturve në Anketën e Cilësisë së jetës rreth 23% janë shprehur se i kanë të vjetra.

Shqipëria ka rezultuar me përqindjen më të lartë të të pyeturve të cilët kanë pohuar se kanë lagështirë apo rrjedhje në shtëpi. Sipas Anketës së Cilësisë së Jetës rreth 40% e të anketuarve në Shqipëri janë përgjigjur se kanë lagështire apo rrjedhje të ujit.

Rreth 12% e të pyeturve janë përgjigjur gjithashtu që kanë mungesë të tualetit me ujë të rrjedhshëm, ndërkohë që Malin e Zi vetëm 3% e të pyeturve kanë pohuar se kanë mungesë të tij, 4% në Serbi dhe 7% në Maqedoni.

Shqiptarët kanë vështirësi edhe për të ngrohur apo për të mbajtur në temperatura optimale shtëpitë e tyre. Rreth 26% e të anketuarve në Shqipëri janë përgjigjur se nuk kanë mundësi që të ngrohin shtëpitë, ndërkohë që përqindja e të anketuarve në vendet e rajonit luhatet nga 6-16%.

Komisioni Europian ka zhvilluar Anketën e Cilësisë së Jetës në vendet e Bashkimit Europian dhe kandidatëve për tu anëtarësuar. Në secilin shtetet është marrë një kampion përfaqësues, ku të anketuarit janë pyetur mbi fusha të caktuara të mirëqenies.
Burimi:Monitor





