Sipas një raporti të "Anketës së Buxhetit të Familjeve" ka rezultuar se shqiptarët janë një nga popujt më të pakulturuar në Europë, kjo pasi shpenzimet e tyre për kulturë dhe argëtim janë 3 herë më pak se e qytetarëve të BE-së.

Gjatë vitit 2017 ka rezultuar se familjet shqiptare kanë shpenzuar rreth 20.3 miliardë lekë për argëtim dhe kulture. Ndërkohë që një person në BE shpenzon mesatarisht 1400 euro për kulturë dhe argëtim, një shqiptarë ka shpenzuar gjatë një viti vetëm 57 euro.

Sipas EUROSTAT, ndryshe nga familjet shqiptare, për Argëtim dhe Kulturë familjet në vendet anëtare të Bashkimit Europian shpenzuan 8.5% të totalit të shpenzimeve të tyre. Në total shpenzimet për argëtim dhe kulturë të familjeve përllogariten në rreth 710 miliardë euro, ekuivalente me 4.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto apo 1400 euro për banor.

Tirana dhe Korça me shpenzimet më të larta
Tirana kishte përqindjen më të lartë të shpenzimeve për argëtim dhe kulturë ndaj totalit të shpenzimeve rreth 4.1%, apo rreth 1 pikë më shumë se mesatarja kombëtare. Pas Tiranës, për sa i përket shpenzimeve për argëtim dhe kulturë mbi mesataren kombëtarë, renditet Korça, ku nga të dhënat e ABF kanë shpenzuar në 2017-n rreth 3.3% të totalit të shpenzimeve për t’u argëtuar. Korçarët gjithashtu renditeshin të parët për sa i përket peshës së shpenzimeve për veshje dhe këpucë. Berati është qarku i tretë me përqindjen më të lartë të shpenzimeve për argëtim, me 3% të totalit. Qarqet e tjera kanë një përqindje më të ulët se mesatarja kombëtare. Durrësi, i cili edhe pse ka një ekonomi të zhvilluar dhe është vend bregdetar, ka një peshë të shpenzimeve për argëtim rreth 2.9%.

Fieri, Lezha, Shkodra, Elbasani dhe Vlora kanë një mesatare shpenzimi që varjon nga 2 në 2.4% Qarqet me shpenzimet më të ulëta Kukësi me 1.9%, Gjirokastra me 1.7% dhe Dibra me vetëm 1% të totalit të shpenzime.

Danimarka dhe Suedia shpenzimet më të larta, Greqia më të ulëta
Në BE në vitin 2017, pjesa e shpenzimeve të familjeve të dedikuara për “Argëtim dhe Kulturë” ishte më i madh në Danimarkë (11.5%) dhe Suedi (11.0%) përpara Finlandës (10.5%), Sllovakisë (10.4%), %) dhe Austria (10.0%). Greqia (4.6%) kishte shpenzimet më të ulëta të familjeve të tyre në “argëtim dhe kulturë”, pasuar nga Rumania (5.8%), Irlanda dhe Luksemburgu (të dyja me 5.9%) si dhe Qipro (6.0 %).
Burimi:Monitor




