Nga Shqipëria / E Mërkurë 9 Janar 2019, 12:12

Frymëzuese/ Ishte ngelës në Shqipëri, por 26-vjeçari nga Fieri tani punon në Parlamentin gjerman

Së fundmi, historia frymëzuese e një të riu shqiptar nga Fieri ka tërhequr vëmendjen e mediave në Gjermani pasi në një intervistë për “Deutsche Welle”, 26-vjeçari Henri Haxhirajn i cili në Fakultetin e Ekonomisë në Tiranë ka qenë 'ngelës', në Gjermani është aktualisht duke punuar si bashkëpunëtor shkencor në Parlamentin gjerman.

Ai në intervistën e tij ka folur për vështirësitë që ka hasur gjatë periudhës që ka kryer bachelorin në Shqipëri dhe si arriti të realizonte ëndrrën e tij dhe të largohej në Gjermani.

“Nuk e kam për turp të them që kam qenë ngelës gjate studimeve bachelor në Fakultetin e Ekonomisë. Padyshim qe përgjegjësia kryesore ka qenë e imja, por shume gjëra në atë Fakultet, në gjykimin tim, nuk funksionojnë siç duhet. Nga shpërndarja e informacionit, tek marrëdhënia me profesorët, tek vlerësimi, tek mësimdhënia, etj. Ne studionim me një kurrikul që analizonte biznesin e para 30 viteve dhe ato njohuri nuk ishin fare të nevojshme në tregun aktual. Megjithatë, aty kam njohur edhe profesorë te shkëlqyer, të cilët përpos kushteve te këqija, pagesës së ulët dhe burokracisë së panevojshme, kane zhvilluar një mësimdhënie shembullore”, tregon Henri.

Ai tregoi gjithashtu ndryshimin e përvojës së studimeve mes Shqipërisë dhe Gjermanisë:

“Si student në Gjermani kam pasur përvojën me të bukur. Studimin tim e kam financuar vetë, duke punuar si shitës, çdo javë nga 20 orë (10 të shtunave e 10 të dielave) në një dyqan suvenirësh. Ka qene goxha e vështire të gjeja kohën për gjëra të tjera dhe më është dashur të sakrifikoj shume aktivitete sociale, megjithatë nuk ndiej pendesë. Jam i lumtur që ia kam dalë me forcat e mia. Studimi akademik në Gjermani mua nuk më ka formuar vetëm në anën akademike, por më ka mësuar edhe t’i analizoj problemet e ndryshme në mënyrë të strukturuar. Gjatë studimit në Gjermani mësova edhe diçka: Kur lufton për atë qe do, mund ta arrish”, përfundon ai.