Nga Shqipëria / E Martë 8 Janar 2019, 14:02

Dalin shifrat/ Ja sa shqiptarë kanë lindur në Itali në 2017 dhe emrat e përdorur

Sipas raporti më i fundit i Institutit Statistikor Italian, ISTAT, mbi lindjet në Itali për vitin 2017 i botuar pak javë më pare në Itali numri I lindjeve ka filluar të bie dhe shumë çifte si Italian ashtu dhe të huaj nuk po lindin më fëmijë.

Siç  raportohet nga të dhënat e këtij raporti rezulton se në vitin 2017 kanë lindur 458.151 vetë, mbi 15 mijë më pak se të lindurit gjatë vitit 2016 (kur kishin lindur 473.438 vetë), rreth 120 mijë më pak në krahasim me të lindurit në vitin 2008 (576.679 fëmijë).

Ndërsa përsa i përket komunitetit shqiptar, kemi një rritje të lehtë të shifrave  në të cilat thuhet se: kanë të paktën njërin prind shqiptar 10.132 të sapolindur të 2017-tës (gjatë vitit 2016 numëroheshin 9.882 fëmijë me paktën njërin prind shqiptar).

Më në hollësi, nga raporti shihet që 7.273 fëmijë të sapolindur i kanë të dy prindërit shqiptarë (ishin 7.278 fëmijë në vitin 2016, 7.830 në 2015-tën), 1.007 kanë babanë shqiptar e nënën italiane (kundrejt 921 rasteve të vitit 2016 e 872 të vitit 2015) dhe 1.852 kanë nënën shqiptare dhe babanë italian (ishin 1.683 të lindurit gjatë 2016-tës e 1.427 të 2015-tës).

Gjithashtu në këtë raport është vënë re se emrat më të përdorshme  për fëmijët e lindur në 2017 janë kryesisht Francesco, Leonardo, Alessandro për djemtë e Sofia, Giulia, Aurora për vajzat.

Ndërsa për sa i përket prindërve shqiptarë emrat më të përdorshëm për fëmiëjt e tyre janë kryesisht ata perendimor. Mes dhjetë emrave të parapëlqyer prej tyre edhe vitin e shkuar nuk ka asnjë të mirëfilltë shqiptar. Më të shpeshtët mes të sapolindurve në Itali nga prindër shqiptarë janë Amelia (129 vajza të lindura vitin 2017), Aurora (127), Noemi (105), Emma (99), Emily (93), Gabriel (68 djem të lindur në 2017-tën), Mattia (68), Noel (64), Kevin (64), Enea (64).