Nga Shqipëria / E Premte 4 Janar 2019, 12:12

Ja kalojnë gjithë vendeve të Europës, ja për çfarë thyejnë rekord gratë shqiptare

Së fundmi është kryer një anketë nga Komisioni Europian që quhet Anketa e Cilësisë së Jetës, ku gratë shqiptare kanë thyer rekord në Europë.

Në këtë anketë gra nga vende të ndryshme të Europës janë pyetur: “A kujdeseni për fëmijët më shumë, më pak apo as sa partneri juaj?”

Në përfundim të saj 84% e grave shqiptare të pyetura janë përgjigjur se kujdesen më shumë dhe vetëm 15% janë përgjigjur se kujdesen po aq sa bashkëshorti. Kjo është përqindja më e lartë e regjistruar në të gjithë vendet anëtare të Bashkimit Europian dhe kandidatët për t’u anëtarësuar. Burrat e pyetur nuk e kanë pranuar këtë realitet plotësisht, se në Shqipëri gratë kujdesen më shumë ata për fëmijët.

Rreth 60% e burrave të pyetur në Shqipëri janë përgjigjur se kujdesen më pak se bashkëshortet, 18% janë shprehur se kujdesen më shumë se gratë e tyre dhe 22% kanë thënë se kujdesen po aq sa bashkëshortet. Gratë në të gjithë Europën deklarojnë se kujdesen më shumë për fëmijët se partnerët e tyre. Rreth 70% e grave të pyetura në vendet anëtare të BE-së kanë thënë se kujdesen më shumë, 25% po aq sa partneri dhe 5% më pak se partneri. 61% e burrave të pyetur në BE e kanë pranuar se kujdesen më pak se gratë për fëmijët, 11% që kujdesen më shumë dhe 28% që kujdesen po aq.

Përqindjen më të lartë të burrave që kanë pohuar se kujdesen më pak se gratë e tyre për fëmijët e ka Çekia, me 91% të përgjigjeve. Edhe burrat në Hungari mendojnë se kujdesen më pak se gratë e tyre për sa i përket kujdesit ndaj fëmijëve, me 81% të përgjigjeve që kanë pohuar se kujdesen më pak. Në rajon, përqindjen më të lartë të burrave që janë përgjigjur se kujdesen më pak se gratë e tyre për fëmijët e ka Maqedonia dhe Serbia me 71 dhe 66 për qind të të pyeturve. Suedia është vendi me përqindjen më të lartë të të përgjigjeve që kujdesen po aq sa partneri i tyre për fëmijët me 47%.

Burimi:Monitor.