Ditën e sotme në rubrikën "Ka një mesazh për ty" ka qenë e pranishme Mimoza e cila ka udhëtuar enkas nga Franca për ti dhënë një mesazh babait dhe njerkës së saj. Ajo donte ti shprehte dashurinë publikisht babait dhe të tregonte se përse prej disa kohësh marrëdhënia e tyre ishte ftohur.

"Para 17 vjetëve, në vitin 2001 ne kemi humbur mamin në moshën 50-vjeçare. Për 4-5 vjet babai qëndroi vetëm, sepse unë me motrën jetojmë në Francë, ndërsa vëllezërit janë të martuar. Ne jemi 3 djem dhe 2 vajza. Pas 4 viteve babai u martua dhe lindën një princ të vogël që sot është 11 vjeç dhe quhet Kevin. Në fillim kemi qenë pak të trishtuar, po normale menduam sesi ishte e mira për babain tonë, që nuk mund ta linim dot vetëm. Ishte i detyruar, nuk mund të qëndronte dot me ne. Donte ngrohtësi, përkrahje. Kur vdiq mami, babai ishte 55-vjeç. Nuk pati ftohje mes nesh, madje atë ditë që është martuar, kam qenë unë ajo që ia kam bërë dhomën e gjumit. Ndjeja pak trishtim shpirtëror, por nga ana tjetër isha e lumtur, ngaqë e shikoja të trishtuar më përpara babain dhe thoja do të ndryshojë gjithçka. Dhe në të vërtetë ndryshoi. Unë nuk mund t’i them dot njerkë, e kam pak si motrën e madhe. Por këto dy vitet e fundit nuk e di përse babai është i trishtuar. Është pak i trishtuar, pak i ftohtë, të dyja bashkë", tregoi Mimoza.

Babai dhe njerka kanë ngelur të habitur kur kanë parë Mimozën në studio, ndërkohë që njerka ka filluar të qajë sapo e ka parë.
"Babi të kam thënë që kam ikur në Portugali, por nuk është e vërtetë. Kam ardhur sot këtu për ju të dy. Sot e kam marrë rrugën për ju të dy, sepse kemi 4 vjet që nuk e kemi festuar Vitin e Ri bashkë. Më duket sikur këto kohët e fundit, nuk e di, këto 1 apo 2 vjet, sikur jemi ftohur pak. më parë kemi qenë shokë, nuk e di në është reale apo jo. Dhe këto kohët e fundit të shikoj pak të trishtuar dhe dua që të dish që ne fëmijët e tu të kemi në zemrën tonë, me të gjitha hallet që ke hequr në jetë dhe aq më keq në 2001 me çfarë ka ndodhur. Unë këtë vit thashë do mbyll derën e shtëpisë time dhe dua që të festojmë Vitin e Ri bashkë. Krishtlindjen e kam më shumë për Valbonën dhe Mandalenën se janë katolike. Dua të kemi atë dashurinë që kemi pasur më parë, jo se nuk e kemi, por këto kohët e fundit ke qenë pak larg. Dhe me Valbonën kam folur herën e fundit dhe më tha çfarë t’i them, nuk e di përse është kështu. Edhe Mandalena më ka thënë fol me babain", i tha Mimoza.

"Nuk jam i ftohtë, jam shumë i afruar dhe i dua njëlloj njerëzit. Ndoshta të duket edhe nga largësia. Edhe hallet tona janë pak të shumta, edhe jeta është pak e vështirë dhe mblidhen të gjitha”, iu përgjigj i ati.





