Një lajm i mirë ka ardhur së fundmi nga shteti Gjerman për të gjithë ata persona që dëshirojnë të punojnë atje. Tashmë për shkak të politikave të reja të hartuara, të gjithë perosnat me arsim ose pa një të tillë do të kenë mundësi të kërkojnë një punë në Gjermani.

Gjermania është duke hartuar politika më lehtësuese mbi pranimin e punëtorëve me shtetësi të huaj në këtë vend. Ligji i parë i emigracionit në Gjermani, që pritet të dakordohet nga kabineti i kancelares Angela Merkel, ka një interes shumë të madh për industritë.
Sipas “The Local”, ky ligj do të krijojë polemika të forta në vend sepse që nga viti 2015 në Gjermani kanë hyrë shumë emigrantë të huaj, më të shumtët nga vendet myslimane.

Në një deklaratë të saj, Konfederata e Sindikatave Gjermane, është shprehur se kjo nismë mund të reflektojë ulje në paga dhe në shfrytëzim të të huajve në tregun gjerman. Gjermania po përjeton një bum të lartë ekonomik dhe krahu punëtor pritet me interes nga kompanitë që operojnë në tregun vendas. Kështu, sipas këtyre rregullave të reja, një person që shkon nga vendet jashtë BE-së e të punojë në Gjermani për 6 muaj, mund të mbështesi veten e vet financiarisht.

Çfarë nënkupton ky ligj:
– unifikohet termi “punëtor i kualifikuar” , ku sipas ligjit të ri, përfshihen si të diplomuarit me arsim të lartë, ashtu edhe ata pa arsim të lartë, por me kualifikim profesional;
– hiqet kontrolli i prioritetit për të kualifikuarit me kontratë pune: Deri tani viza e punës jepet vetëm kur është konfirmuar se nuk ka gjermanë ose shtetas të BE-së me të njëjtin kualifikim që mund ta bëjnë atë punë, me ligjin e ri ky verifikim bie.
– hiqet kufizimi për imigrim vetëm për profesionet që kishin mungesa të fuqisë punëtore dhe hapet tregu për çdo të kualifikuar;
– ngjashëm si me të diplomuarit me arsim të lartë, edhe të kualifikuarit e tjerë do të kenë shans të vijnë në Gjermani me një vizë gjashtëmujore për të kërkuar punë. Parakusht për të marrë këtë vizë janë njohuri të gjuhës gjermane (minimumi niveli A2) dhe para të mjaftueshme për të siguruar jetesën gjatë periudhës së kërkimit të punës në Gjermani. Sipas ministrit të brendshëm Seehofer, pasi ta kenë gjetur vendin e punës dhe të kenë bërë edhe kontratën, ata duhet të aplikojnë sërish në ambasadë për vizë pune.

– përmirësohet mundësia e qëndrimit në Gjermani për të bërë kualifikime ose provime për njohje të diplomës ose certifikatës së bërë në vendin e prejardhjes;
– thjeshtohet procedura e vizave, përqendrohen kompetencat te zyra e të huajve dhe përshpejtohet dhënia e vizave për fuqinë punëtore.
Çfarë ndodh me ish-azilantët?
Nga ky rregull përfitojnë vetëm ata azilantë që kanë plotësuar këto kushte:
– të kenë qenë në marrëdhënie pune me orar të plotë prej së paku 18 muajsh;
– të jenë në gjendje t’i mbulojnë vetë shpenzimet e jetesës;
– të kenë familje të integruara, për shembull, fëmijët të frekuentojnë shkollën rregullisht;
– të jenë prej së paku një viti me statusin Duldung;
– të kenë njohuri gjuhe së paku në nivelin A2;
– të mos kenë qenë të dënuar penalisht;
– të mos kenë bërë përpjekje për të fshehur identitetin e vërtetë.
Ky ligj për ish-refugjatët është paraparë të jetë i vlefshëm fillimisht deri në mesin e vitit 2022. “Nëse përvoja me të do të jetë e mirë, ai do të zgjatet, përndryshe do të rishikohet”, tha ministri i brendshëm Seehofer.
Kur mund të hyjnë në fuqi ligjet?
Të dy ligjet do të hyjnë në fuqi më 1 janar 2020. Por më parë duhet të miratohen nga parlamenti (Bundestag) dhe Këshilli Federal (Bundesrat).
Burimi:Panorama.





