Historia prekëse e familjes Lazi nga fshati Kaçivle i Elbasanit ka përlotur të gjithë publikun shqiptar së fundmi. Në një rrëfim për emisionin ‘Shqiptarët për Shqiptarët’, tre vajzat e vogla të familjes, treguan se si humbën gjithçka nga një zjarr dhe tani së bashku me prindërit janë detyruar të jetojnë mes të ftohtë në një çadër të ngritur në oborr.

Mes lotësh dhe lutjeve të shumta, vogëlushet kërkonin veç një dhomë ku të fusnin kokën dhe të shpëtonin nga shiu dhe balta që i rrethonte. Mirëpo, më në fund kjo familje po përballet me një lajm të mirë. Pasi u mësua rasti i tyre, këngëtari Sidrit Bejleri ka gjetur një firmë e cila u ka mundësuar ndërtimin e shtëpisë së re të familjes.

Kur fëmijët kanë parë shtëpinë e re nuk kanë mundur të mbajnë dot veten nga emocionet. Ato tashmë kishin gjithçka që dëshironin një shtëpi të ngrohtë dhe dhomat e tyre ku mund të mësonin të qeta.

“E falënderoj administratorin Marsel Brakën, që erdhi me punëtoret dhe ndërtoi shtëpinë, asnjë nuk vinte prej Durrësit për ta bërë këtë shtëpi” thotë plot mirënjohje Flamuri.U është kthyer buzëqeshja brenda shtëpisë së re, vajzat nuk i mbajnë dot lotët kur shikojnë dhomën e tyre. “Kemi qenë një vit vetëm me qiellin sipër. Sot ne nisim një jetë të re, më duket sikur linda edhe njëherë” shprehet Flamuri.






