Pak javë më parë në emisionin “Boom” është transmetuar historia prekëse e familjes Rrapo nga fshati Kuqar i Kelcyrës. Ata përlotën gjithë publikun teksa rrëfyen se ushqeheshin vetëm me çorbë, e se natën mbuloheshin me plasmas që të mos lejonin shirat të depërtonte në krevatin e tyre.

Menjëherë pas transmetimit të historisë, trajneri i Klubit të Futbollit Këlcyrës, Robert Spahiu, i cili tha se skuadra që ai drejton ka vendosë t'ia dhurojë familjes Rrapo shpërblimin e fitores në ndeshjen e fundit.

Futbollistët e skuadrës së bashku me trajnerin kanë udhëtuar drejt shtëpisë së familjes dhe i kanë gëzuar fëmijët teksa u kanë cuar ushqime dhe ndihma të tjera.

“Jam trajner i ekipit të Këlcyrës. U njohëm me varfërinë e kësaj familje nëpërmjet kronikës në Ora News. Ekipi KF Këlcyra kishte një ndeshje të dielën me ekipin e Patosit dhe sponsori ynë Andrea Barka kishte një premio për fitoren në këtë ndeshje. Ekipi fitoi dhe të gjithë çunat ishin dakord që premion që morën për ndeshjen ta jepnin për këtë familje në nevojë. Ndërsa dy çunave të vegjël u kemi sjellë nga një uniformë sporti dhe dy topa futbolli që në të ardhmen të jenë pjesë e ekipit.”, tregoi Robert Spahiu.

"Ishte një rast që duhej ndihmuar në çfarëdo mënyre. Me rastin e parë që na u dha, në mënyrë të prerë vendosëm ti ndihmonim. Vendosëm ti gjendemi pranë kësaj familje në nevojë. I bëj thirrje çdo njeriu që me aq sa të ketë mundësi të gjendet pranë këtyre fëmijëve dhe kësaj familje", thotë ndër të tjera.





