Nga Shqipëria / E Enjte 6 Dhjetor 2018, 11:11

E trishtë: Të moshuarës shqiptare i bllokojnë pensionin pasi nuk kishte paguar faturat e energjisë

Rasti i një të moshuare 73-vjeçare ka marrë së fundmi vëmendjen e të gjitha mediave pasi ndonëse ajo është e vetme sepse burri dhe djali i janë vrarë në luftë, tashmë i kanë ndërprerë edhe pensionin.

Ngjarja ka ndodhur në Kosovë ku 73-vjeçarja ka mbetur pa pension pasi përmbaruesi privat ja ka bllokuar duke qenë se ajo nuk ka paguar faturat e energjisë elektrike.

Sipas mediave në Kosovë të moshuarën e ka dërguar tek përmbaruesit privat kompania KESCO që  merret me furnizimin e energjisë elektrike.

“Ma ka ndalë pensionin për shkak të rrymës. Nuk e ke paguar rrymën asnjëherë më kanë thënë. Iu thash se nuk e kam paguar sepse më kanë thënë se e kam pa pare. Kur më kanë prurë letrën e kam paguar. Në fillim kam paguar 50 euro, pastaj 30 apo 40 ashtu si kam pasë”, tregon Shaha Haziri për një televizion kosovar.