Nga Shqipëria / E Mërkurë 5 Dhjetor 2018, 22:10

E kalojnë natën të mbuluar me plasmas, fëmijët e familjes Rrapo mes lotësh luten: Duam bukë

Së fundmi në emisionin "Boom" në "Ora News" është transmetuar historia prekëse e familjes Rrapo në fshatin Kuqar të Këlcyrës, ku familja e përbërë nga 5 anëtar dy prindërit dhe 3 fëmijët jetojnë në një banesë që dikur ka qenë një magazinë. Në këtë banesë të shkatërruar çdo gjë që bie jashtë futet brenda dhe për këtë arsye është bërë e pa banueshme sidomos në periudhën e dimrit.

Duke qenë që të ardhurat e tyre janë minimale ata çdo darkë mbulohen me plasmas në mënyrë që të mbrohen nga I ftohti, përveç kësaj ata shtrihen dhe me barkun boshë pasi nuk kanë bukë të hanë.

“Kam 19 vjet që po vuaj, tre fëmijë po më vuajnë pa bukë, pa gjë. Nuk punoj. Këtu në divan flemë të gjithë të mbuluar me plasmas se pikon.Ushqimet i mbaj në këtë sirtar, shikoje është bosh, çorbë u kam bërë, bukë dhe ujë. Kanë 4-5 ditë vetëm çorbë. Kam 5 fëmijë, por dy vajzat janë martuar 14 vjeçe, njëra në Berat dhe tjetra në Katundisht.”, thotë nëna e fëmijëve.

“Kanë ikur nga halli. Mami më tha, do iki se i shikoj kushtet e tua, të rrimë pa bukë, do iki. Kam qarë me lot, më është bërë zemra plagë për to. Vajzës që kam këtu i ra të fikët një ditë te shkolla se kishte fjetur pa ngrënë. I dhashë bukë thatë, nuk i duroj dot, më mirë të rri vetë pa bukë, se këta.”, shton ajo.

Ndërkohë që babai i fëmijëve tregon se punon vetëm kur gjen punë, por në shumicën e rasteve qëndron në shtëpi pasi nuk gjen.

“Me tre pula po jetojmë, mishin se kemi parë njëherë me sy. Vetëm çorbë dhe bukë e sheqer. Mërdhijmë këtu, është ftohtë. Ndonjë nuk na ndihmon. Shkoj në shkollë pa ushqim. Nuk kemi asgjë.  Me mësime jam mirë, marr 9 dhe 10. Më pëlqen lënda e gjuhës, kur të rritem dua të bëhem mësues.”, ka treguar djali me lot në sy.