Së fundmi, Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë pensionistët dhe të gjithë personat që punojnë në shtet. Ditën e djeshme në një konferencë për shtyp, Ahmetaj lajmëroi se shumë shpejt qeveria do të shpërndajë shpërblimet e pensionistëve me rastin e festive të fundvitit.

“Pas disa ditësh qeveria do të shpërndajë edhe bonusin për pensionistët, 5 mijë lekë të reja për pensionistë. Nuk ka pasur kurrë precedentë të kësaj shume. Ne e kemi kthyer në traditë dhe në vitet që vijnë do ta kthejmë në një politikë të konsoliduar buxhetore”, tha ministri. Kreu i Financave Ahmetaj u shpreh se pas pak ditësh qeveria do të miratojë vendimin për rritjen e pagës minimale nga 24 mijë lekë në 26 mijë lekë. “Një lajm i mirë për buxhetin dhe që së shpejti kalon vendimi në qeveri është rritja e pagës minimale. Po shkon 26 mijë lekë, pra një rritje graduale. Është marrë parasysh shumica e kërkesave të sipërmarrjes”, tha ministri.

Ndër të tjera Ahmetaj ka zbuluar se buxheti I ri do të rrisë pagat e administratës nga 7 deri në 20 përqind, ku nga kjo rritje do të përfitojnë rreth 65% e punonjësve. Rritja e pagës do të përfshi mësues, mjek, ushtarak etj.

“Lajmi i mirë është rritja e pagave për 65 mijë të punësuar dhe sektorët që do të kenë rritje janë shëndetësia, me rritje 7-10 për qind mjekët dhe infermierët, ku përfitojnë 4765 mjekë dhe mbi 13 mijë infermierë. Tek arsimi, rritje mbi 17 për qind për mësuesit dhe deri në fund të mandatit rritja 40 për qind. Te mbrojta shkon në kategori të ndryshme deri në 19 për qind dhe prek ushtarakët. Fiton Policia e Burgjeve rreth 7 për qind rritje, pastaj varion për kategori të ndryshme. Dhe për herë të parë përfitojnë dhe diplomatët. Rritja e pagës shkon dhe mbi 20 për qind”, tha ministri.
Burimi:Panorama.al.




