Historia e 22-vjeçarit shkodran Elsid Sekaj ka tërhequr së fundmi vëmendjen e të gjithë publikut. Elsidi që në lidhje është përballur me problem dhe vështirësi në lëvizje, mirëpo kjo gjë nuk e ka ndaluar atë që të jetojë një jetë normale si gjithë bashkëmoshatarët e tij.

Në një intervistë për Top Channel 22-vjeçari ka rrëfyer se aktualisht po studion për Punë sociale, dhe qëllimi i tij është që t’u shërbejë njerëzve, mbi të gjithë atyre që – ashtu si ai vet, – e kanë jetën më të vështirë sesa të tjerët.

“Unë po vazhdoj shkollën për Punë Sociale dhe jam në vit të tretë sivjet. Arsyeja përse kam zgjedhur degën e Punës Sociale është sepse më pëlqen të merrem me këtë problematikë, me të cilën përballem edhe vet, me fëmijët me aftësi të kufizuara, me paragjykimet që ndodhin në qarkun tonë. Më pëlqen shumë të jem i njerëzishëm”, thotë Elsidi.

Ndër të tjera ai ka rrëfyer se shumë herë e ka ndjerë peshën e diskriminimit, por kjo gjë nuk e ka penguar aspak që të arrijë qëllimet e veta.
“Kam pasur raste, por si natyrë e fortë që jam e kam përballuar. Dëgjoj shpesh thënie ‘si e lënë të dalë vetëm’, apo ‘sa gjynaf’. Shpesh jam përballur me lloj-lloj paragjykimesh dhe përbuzjesh, por i kam kaluar me forcë dhe vendosmëri. Sigurisht edhe përkrah familjes, si gjithmonë”, rrëfen më tej Elsidi.

E ndërsa të gjithë bashkëmoshatarët e tij janë zhgënjyer nga Shqipëria dhe duan të largohen jashtë, Elsidi rrëfen se ai kurrë nuk do e braktisë Shkodrën.
“Mesazhi im për të tjerët është: Mos u ndieni të paragjykuar, edhe nëse keni një problematikë të caktuar. Gjëja tjetër që iu bëj apel është ta kalojnë jetën e tyre në Shkodër, në vendin ku ata janë lindur, të kontribuojnë për atë vend siç po bëj edhe unë. Megjithëse kam një të metë fizike, për të cilën paragjykohem. Përpiqem ta kaloj. Do të qëndroj në Shkodër, nuk kam qejf të largohem jashtë shtetit. Përderisa unë i kam kaluar këto barriera, është e kotë të largohem nga Shkodra”, thotë më tej ai.





