Historia e familjes Vocrri nga fshati Kryezi në Fushë-Arrëz ka marrë së fundmi vëmendjen e të gjitha mediave pasi bashkëshortët Vocrri që kur dy vajzat e tyre kanë lindur janë kujdesur për sëmundjen e tyre.

Ata kanë qenë për 9 muaj në Itali ku janë mundur që të kurojnë sëmundjen e vajzave, por tani ata janë rikthyer në fshat ku dhe po përballen më vështirësi të panumërta. Atyre u është ndërprerë ndihma ekonomike dhe Ylber Vocrri së bashku me bashkëshorte tregojnë se e kanë shumë të nevojshme që vajzat e tyre të kenë një aparat oksigjeni për ti mbajtur gjallë.

“Është e vështirë shumë t’i mbajmë në jetë, por me ndihmën e Zotit po ja dalim. Edhe pse në këtë gjendje dëshira jonë e madhe është që t’i kemi sa më shumë që të jetë e mundur në mesin tone”, thotë babai Ylber Vocrri.

Ai shton më tej se: “Vajzat pësojnë shpesh rënie të oksigjenit, dhe kjo ju shkakton krizë shëndetësore duke jua vështirësuar jetën deri në limite”. Momentalisht spitali i Pukës ka ndihmuar me bombola oksigjeni familjen, por kjo duket se nuk është zgjidhja e duhur për shkak se bombolat mund të përfundojnë në një kohë kur oksigjeni është i domosdoshëm për të mbajtur në jetë dy fëmijët të cilët jetojnë vetëm fal përkujdesjes maksimale të prindërve të tyre.





