Nga Shqipëria / E Diel 2 Dhjetor 2018, 13:01

Jeton e vetme në shinat e trenit, historia e gruas nga Tirana që përloti shqiptarët

Së fundmi në emisionin "Stop" është trajtuar historia prekëse e zonjës, Fatime Kadiu, e cila prej kohësh jeton e vetme pranë shinave të trenit në kushte të mjerueshme. Ajo ka rrëfyer për emisionin se jeton në vështirësi të shumta dhe se nuk ka as nuk që të haj, por ushqehet vetëm kur njerëzit e tjerë i falin ndonjë gjë.

Problemet e Fatimes janë shtuar edhe më shumë pasi ajo është përjashtuar nga skema  e ndihmës ekonomike sepse siç tregon ajo sistemi thotë se ajo nuk ka plotësuar pikët e nevojshme për të marrë ndihmën ekonomike prej 47 mijë Lekësh të vjetra.

Përveç këtyre, problem i Fatimes shtohet edhe më shumë  pasi ajo është e sëmurë dhe ka vendosur hekur në këmbë dhe nuk merr as KEMP.

“Shkova te Njësia 9, më thanë nuk të takon, nuk ke plotësuar pikët. Shtëpinë e ke të banueshme. U thashë hajde shifni se ku banoj. Nuk erdhën! Nuk e fitova. I thashë uji më futet brenda, kam frikë kur bie shi se rri me fshesë në dorë. Ka 5 vjet që jetoj e vetme. Më e vështirë se është nuk di të tregoj. Në këmbë kam vendosur hekur. Nuk marr KEMP, asnjë lek. Jetoj me të falura. Një herë në ditë ha bukë, ha drekë edhe drekë më drekë. Ose darkë më darkë. Kërkoj vetëm ndihmën ekonomike, asnjë gjë tjetër. Të paktën të marr ilaçet dhe bukën. S’dua asnjë gjë tjetër.”, thotë Fatimja.

Gazetarja e emisionit ‘Stop’ shkoi edhe tek zyrat e ndihmës ekonomike në Njësisë 9, për të kërkuar informacion se si ka mundësi që zonja në fjalë është përjashtuar nga sistemi kur në fakt kushtet e jetesës janë mizerabël.

Punonjësja e ndihmës ekonomike në këtë njësi thotë se detyra e tyre është hedhin në sistem vetëm të dhënat që janë aplikuesit dhe më pas përllogaritjen e bën vet sistemi.

Ardjana Neziri, punonjëse e ndihmës ekonomike Njësia 9: Pikët janë tërësia që merret që nga mosha, nga gjinia, nga vendndodhja e banesës, nga zona urbane, sa larg ke shkollat, kushtet e jetesës, infrastruktura e të gjitha këto. Zonja në fjalë është refuzuar nga sistemi ekonomik se nuk ka marrë pikët e mjaftueshme.

Përsa i përket pikëve, ne këtë gjë nuk e dimë. Është sistemi që i përpunon pikët në bazë të një formule të pikëzuar. Ne hedhim të dhënat, kjo është detyra e administratorëve të hedhi të dhëna të sakta siç i jep qytetari që vjen dhe aplikon. Vendimmarrja i përket Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social.

Emisioni ‘Stop’ u interesua edhe tek Shërbimi Social, e cila shpjegoi se punonjësit shkojnë për të verifikuar kushtet e jetesës vetëm pasi aplikantët shpallen fitues, dhe jo më përpara?! Punonjësja e Shërbimit Social tha gjithashtu se znj. Fatime Kadiu duhet ta kishte apeluar brenda 10 ditësh vendimin që e përjashtoi nga skema e ndihmës ekonomike.

Ndërsa deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma thotë se në skemën e ndihmës ekonomike, koeficienti përcaktues duhet të jetë publik në mënyrë që aplikuesit ta dinë se çfarë i skualifikon. Mungesën e koeficientit, madje edhe në Fletoren Zyrtare, Grida Duma e konsideron ‘një nga krimet më të rënda’.

Drida Duma, drejtuese e Sekretariatit të Marrëdhënieve me Publikun: Me llogaritë tona, neve na rezulton një dalje nga skema rreth e 21 mijë familjeve në nevojë. Ne i jemi drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë për t’i thënë që jeni duke shkelur me të dyja këmbët të drejtat e njeriut, sepse nuk i tregoni njerëzve kush është koeficienti ta dijë ai. Minimalisht ta dinë pse futen dhe pse dalin nga skema. Gjë e cila sot është një nga krimet më të mëdha. Dhe në Fletoren Zyrtare totalisht i kanë hequr koeficientët.

Pas denoncimit të bërë nga emisioni ‘Stop’, Shërbimi Social bën me dije se Fatime Kadiu do të trajtohet me fondin 6% bllok të ndihmës për familjet në nevojë. Gjithashtu i ofruan edhe vakt ushqimor pranë qendrës multidisiplinare, si dhe mbështetje me paketa ushqimore nga Njësia 9.

Burimi: Tv Klan.