Nga Shqipëria / E Premte 30 Nëntor 2018, 12:12

'Nuk ishte qëllimi im', 18-vjeçari i penduar i kërkon falje polices që i preu gishtat

18-vjeçari, Daniel Dobraj, i cili pak ditë më parë u arrestua pasi e akuzuan se ishte ai që hodhi kapsollën që i preu gishtat polices 24-vjeçare, Ina Nuku, i ka kërkuar sot falje publikisht polices.

Në një lidhje telefonike me “Fax News”, Danieli ka folur nga paraburgimi në Fushë Krujë, ku i ka kërkuar falje polices, ndonëse ende nuk është sqaruar nëse ka qenë ai që e ka hedhur kapsollën.

Ndër të tjera 18-vjeçar ka rrëfyer se ata kishin për qëllim që të mbronin shtëpitë e tyre, nëpërmjet kësaj proteste dhe nuk dëshironi që ti bënin keq policisë. Po ashtu Danieli tregoi se katër efektiv të policisë e kanë dhunuar atë teksa e kanë dërguar në burg.

“Dua të kërkoj falje publikisht, edhe nëse është kapsolli që kam hedhur unë ai që ka lënduar efektiven. Nuk ishte e qëllimshme, nuk ishte ajo që kërkonim ne. Kemi dalë për të mbrojtur pronën tonë dhe nuk doja të dëmtohej efektivja. Kur jam shoqëruar për në komisariat jam dhunuar nga katër civilia dhe drejtori. Kur kam shkuar në komisariat po ashtu jam dhunuar dhe nga drejtori. Me grushta, me ofendime dhe shpulla nga më të ndryshmet. Këtu jam mjekuar, po më kanë dëmtuar civila, gjatë momentit të shoqërimit. Ndihem më mirë, tani. Na kanë pritur shumë mirë dhe kemi mbështetje. Familjarët nuk i kanë lejuar që ti takoj për shkak të festave. Unë jam 18-vjeç dhe nuk kam bërë një gabim që jam këtu dhe më kanë ndërprerë shkollën. Jam në shkollë në vit të parë për Inxhinieri Ndërtimi, dhe kam mbaruar gjimnazin me mesataren 9.5.", tregon djali.