Mbrëmjen e djeshme në Kryeministri është ekspozuar harta e Skënderbeut e cila ka qenë e zhdukur për më shumë se 250 vjet. Kjo hartë është gjetur nga Artan Shkreli dhe është bërë publike vetëm dje me rastin e 106 vjetorit të Pavarësisë.

Në këtë hartë, Shqipëria shoqërohet me emrin ‘Scanderbeg’ dhe sipas gazetarit Ronald Qafoku kjo hartë ka datuar që në vitin 1455, ishte e zhdukur për 2 shekuj e gjysmë dhe u gjet në një depo të mbyllur. Është e krijuar nga lëkura e një viçi te palindur dhe me një cilësi të larte të shkrimeve.

Po ashtu drejtori i arkivave, Ardit Bido, ka treguar se nëpërmjet kësaj harte ne mund ti mbyllim gojën të gjithë atyre që duan të ulin figurën e vetme përbashkuese të kombit shqiptar.

“Madhështia e Skënderbeut në një hartë. Harta e gjendur në Bibliotekën e Romës rrëfen shumës. Një truall i tërë, Shqipëria e asaj kohe, e etnikja e kësaj kohe, mbanin për toponim emrin e drejtuesit të saj Skënderbeut, në të gjallë të tij. Kjo hartë kuptimplotë nuk mbyll thjesht Vitin Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, por mbyll edhe të gjitha gojët që duan të revizionojnë historinë për të ulur figurën e vetme përbashkuese të kombit shqiptar”, shkruan Bido.




