Nga Shqipëria / E Martë 27 Nëntor 2018, 17:05

'Jam rritur pa prindër dhe me halle', Veliaj bën rrëfimin e veçantë tek banorët e Astirit

Ditën e sotme në sallën e Këshillit Bashkiak, Erion Veliaj, ka pritur disa nga banorët e zonës së Astirit që u prekën së fundmi nga projekti i "Unazës së Madhe". Sipas tij nga ky projekt që do të sjellë zhvillimin e qytetit të Tiranës askush nuk do të dal i humbur. Ndër të tjera, Veliaj rrëfeu dhe një pjesë të vështirësive që ka kaluar ai kur ka qenë i ri.

“Këtu asnjë nuk do që të ketë të humbur dhe besoj që ekziston i gjithë mirëkuptimi, dashamirësia që të mos humbasë askush. Kur flas të mos humbasë askush dua t’i ndaj këto kategori. Kush është hallexhi, kush është pa lekë, kush është pa legalizim, si rasti i 2 familjeve që lëvizën mbrëmë, e pashë familjen e parë, do shkoj ta takoj prapë, kishin bërë shtëpi me kushtet, me një jetë shumë të vështirë te kanali i ujërave të zeza. Brenda në shtëpinë që u prish mbrëmë, te dy të parat, ishte puseta e ujërave të zeza. Kishin vënë qilimin sipër, tavolinën sipër qilimit dhe jetonin mbi kapakun e ujërave të zeza. Sot janë te banesat sociale, por prapë më mirë që u prish ajo gjëja pa leje mbi kolektor dhe sot kanë një shtëpi të cilën mund ta mbajnë pafundësisht”.

“Ka edhe një kategori tjetër që është një kategori që me thënë të drejtën unë nuk e ndihmoj dot, që është kategoria e politikanëve. Kategoria e atyre që duan të kandidojnë në listat e ardhshme, kategoria e atyre që nuk janë fare banorë aty, por që vijnë me autobusë për to. Janë një kategori që nuk i ndihmojë dot, ata kanë nevojë për ndihmë sociale, për këshillim, ata kanë nevojë për dashuri nga shoqëria, por këta s’janë banorë, dhe vijnë aty për sport, siç vijnë tek lodrat, siç vijnë tek teatri. Kush vjen deputet që deri dje ishte në Londër, që s’i ka prek këmba ndonjëherë tokë, që zbret nga “Range”, me puro, vjen dhe ngre gishtat lart që të kapë kandidimin prapë, pastaj shkon për haviar, vallaj kjo është që kategori që vjen aty për hallin e vet, nuk vjen për hallin tuaj”, u shpreh kryebashkiaku.

“Këtë ua thotë një çun që ka jetur me qera, është pa prind, me halle, është rrit duke shku nga një shtëpi tjetër, jo këta që zbresin nga range dhe ju vijnë ju japin mend", tha Veliaj.

"Kush ka nevojë për banesa sociale, kush ka nevojë për lekët për shpronësim, kush ka pronë dhe do ta zhvillojë bujrum në Bashkinë e Tiranës”, deklaroi kryebashkiaku.