Nga Shqipëria / E Martë 27 Nëntor 2018, 17:05

Humbën gjithçka brenda një nate, dy motrat nga Tirana rrënqethin me historinë prekëse

Një histori shumë prekëse është trajtuar së fundmi në emisionin "Shqiptarët për Shqiptarët" ku dy motrat nga Tirana, Flora dhe Miranda, kanë rrënqethur teksa kanë rrëfyer se prej muajsh jetojnë një një kasolle të ndërtuar me plasmas, pasi ua kanë marrë shtëpinë në të cilën kanë jetuar për 50 vjet.

Për shkak të një problemi me pronat, motrat Demi kanë mbetur pa shtëpi pasi pa dijeninë e tyre, banesa është blerë nga dikush tjetër dhe në të do të ndërtohet një kompleks pallatesh. Ndonëse çështja ndodhet në Gjykatë, Mirandës dhe Florës nuk i ka ardhur askush në ndihmë dhe për këtë arsye ato janë detyruar të jetojnë në rrugë sikur të ishin kafshë.

“Kur kthehem nga puna në darkë, më vijnë këmbët zvarrë… tërë rrugën e bëj me lot sepse mendoja se dikur gjeja një shtëpi, një ngrohtësi, nënën e babën, kurse sot gjej vetëm shkrumb e hi, gjej vetëm këto lecka këtu përjashta. Nuk më bën zemra të vij në lagjen ku jam rritur.”, ka rrëfyer me lot në sy Miranda.

Dy motrat kanë treguar se në momentin që i detyruan të largoheshin nga shtëpia e tyre gjithçka u kthye për keq.

“Unë kam jetuar në këtë formë, kam fjetur ja këtu. Frikë kam sepse çfarë s’bën vaki, një zjarr, një incident, një makinë.”, thotë Flora ndërsa Miranda shtonë: “Kur ke një strehë në kokë ke mundësi të mendosh, vjen e lodhur nga puna por të paktën mendon se çfarë do të bësh nesër. Këtu s’mundesh, na ka shkuar mendja që të vrasim veten.”

Mirëpo në ndihmë të tyre ka ardhur Elvis Naçi ka shkuar për të parë kasollen ku jetojnë Miranda e Flora, dhe u ka kërkuar atyre që të bëhen gati për të dalë nga makthi. Emisioni ‘Shqiptarët për Shqiptarët’ ka bërë të mundur që të gjendet një shtëpi me qira për dy zonja në mënyrë që mos ta kalojnë dimrin rrugëve.