Urdhri i parë nga "Ministria e Arsimit", i cili ndalonte kategorikisht përdorimin e celulareve nëpër shkolla duket se nuk ka rezultuar aq i suksesshëm sa mendohej. Për këtë arsye ministria, Lindita Nikolla, ka vendosur që të nxjerr një urdhër të ri që pritet të jetë më efikas.

Ndërkohë që urdhri i parë ndalonte vetëm përdorimin e telefonave gjatë procesit mësimor, ky i dytë sipas udhëzimit nr.34, datë 16.11.2018 i ndalon nxënësit, edhe që t’i marrin me vete në shkollë celularët, duke përjashtuar mësuesit.

“Në mbështetje të nenit 102 të kushtetutës së republikës së Shqipërisë dhe nenit 6 të ligjit, 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar”, udhëzoj: në mjediset e institucioneve arsimore parauniversitare është e ndaluar të disponohet telefon celular nga nxënësit dhe mësuesit”, shkruhet në udhëzimin e ri.

Madje në udhëzim janë treguar qartë dhe të gjitha masat që do të merren për të gjithë ata qe nuk e zbatojnë këtë rregull dhe kapen me celulare nëpër shkolla. Sipas tyre, celulari do të sekuestrohet dhe më pas do përfundojnë në Policinë e Shtetit.

“Në rast të konstatimit të disponimit të telefonit celular nga nxënësit në mjediset e institucioneve arsimore parauniversitare, drejtoria e institucionit sekuestron telefonin celular dhe zbaton masa disiplinore sipas kuadrit ligjor në fuqi. Telefonat e sekuestruar depozitohen pranë institucioneve arsimore vendore përgjegjëse për arsimin parauniversitar. Masat e marra ndaj nxënësit i njoftohen me shkrim prindit ose kujdestarit ligjor të nxënësit”, theksohet në këtë udhëzim.

Ndër të tjera MAS ka kërkuar nga drejtoritë e shkollave që ky urdhër të përfshihet në rregulloren e brendshme ë shkollës dhe që të gjithë nxënësit të informohen lidhur me të. Ata gjithashtu kërkojnë që në ambientet e shkollës të vendosen postera informues dhe të bëhen mbledhje me prindër ku të bëhet një deklaratë e përbashkët me prindërit ku të bien dakord që fëmijët e tyre të mos kenë celulare me vete kur nisen në shkollë. Një problem tjetër që ka dal nga ky rregull ka qenë fakti se si do të veprohet në raste emergjence për të komunikuar me prindërit, ambulancat apo Policinë e Shtetit.

“Drejtoritë e institucioneve arsimore të marrin masa për të vënë në dispozicion numër telefoni të veçantë për komunikimin me prindërit e nxënësve dhe t’ia bëjnë me dije prindit në deklaratën e përbashkët”, shkruhet në udhëzimin e ri.





