Ditën e sotme "Monitor" ka publikuar një listë me 10 gratë më të pasura në vendin tonë. Ndonëse ato vetë nuk kanë pranuar që të prononcohen dhe kanë preferuar një jetë private, Monitor në bazë të qarkullimit vjetor të kompanive në listë janë përfshirë e bizneset që kanë të paktën një aksionere me të paktën 30% të aksioneve.

Lista e plotë:
Vilma Nushi

Vilma Nushi, një nga sipërmarrëset e para të pas viteve ‘90. Znj. Nushi është aksionere e vetme e kompanisë Marketing & Distribution, e krijuar që në vitin 1997. Marketing & Distribution (M&D) një prej më të mëdhave në fushën e distribucionit, me të ardhura prej 8 miliardë lekësh në vitin 2017, me rënie 23% me bazë vjetore. Marketing & Distribution zotëron dhe 80% të aksioneve të 3P Life Logistic, e krijuar në 2001-n, që zbaton Kontratën e Koncesionit/Partneritetit Publik Privat për Paketën e Shërbimeve të Kontrollit Mjekësor Bazë, me të ardhura 876 milionë lekë. Në total, të ardhurat e dy kompanive ishin rreth 70 milionë euro dhe fitimet rreth 3.2 milionë euro. M&D kishte 323 të punësuar dhe 3P Life Logistic 160 të punësuar, sipas të dhënave të Tatimeve, që i përkasin vitit 2017. M&D ka edhe 35% të aksioneve të KAVEX – ELBASAN TOBACCO CO SA, me aktivitet në grumbullimin dhe përpunimin e duhanit në Elbasan, por shoqëria kishte aktivitet minimal në 2017-n.
2.Femrat e familjes Hoxha

Vjollca Hoxha, së bashku me tre vajzat dhe djalin kanë paketën kontrolluese të aksioneve (51%) të Digitalb, operatorit televiziv me pagesë më të madh në vend, një model novator biznesi për kohën kur u zbatua në Shqipëri, që sot është një nga kompanitë më të suksesshme në vend. Familja zotëron 100% të Top Channel, televizionit më të madh në vend sipas të ardhurave, dhe 49% të aksioneve të shoqërisë së përpunimit të kafesë Valtelina (51% të aksioneve i shitën në fillim të 2018-s). Dy bizneset e tjera, Top Albania Radio dhe VGA (botim e prodhim reklamash) kanë peshë relativisht të ulët (në maj të vitit 2018, Vjollca Hoxha i ka dhuruar 40% të aksioneve që zotëronte tek Top Albania, Ervin Zenelit). Në total, të ardhurat e 5 kompanive ishin 7.2 miliardë lekë, nga të cilat 73% nga Digitalb dhe 19% nga Top Channel. Sipas përqindjes përkatëse të aksioneve, fitimet e familjes Hoxha ishin 127 milionë lekë, ose rreth 1 milion euro.
3. Ina Topalli

Ina Topalli, e cila zotëron 49% të Global Resource Trading, u rendit në vend të tretë sipas të ardhurave, pas dyfishimit të të ardhurave të kompanisë në 6.5 miliardë lekë. Kompania u krijua në shtator 2015 dhe njohu rritje të shpejtë të të ardhurave dy vitet e fundit. Fitimi në 2017-n ishte 20 milionë lekë (160 mijë euro).
4. Melika Leka
Një hyrje në vitin 2016, Melika Leka, me kompaninë e përpunimit të sallamit, EHË, këtë vit renditet e katërta ndër sipërmarrëset më të mëdha (sipërmarrësi Luan Leka, në prill 2016, kaloi një kuotë të aksioneve prej 33% te bashkëshortja, sipas deklarimeve në Qendrën Kombëtare të Biznesit). Që prej vitit 2016, EHË deklaron bilanc të konsoliduar, së bashku me Qafë Shtama dhe Conad Albania. Në 2017-n, xhiro e kompanisë ishte rreth 5 miliardë lekë dhe fitimet arritën në 451 milionë lekë. Kompania ka 201 punonjës.

5. Merita Sheqi
Merita Sheqi është sot sipërmarrëse e kompanisë më të madhe të tregtimit të produkteve farmaceutike në vend, Rejsi Farma dhe e pesta nga kompanitë e drejtuara nga femra. Ajo e ka nisur aktivitetin e biznesit që në vitin 1999, së bashku me bashkëshortin, me të cilin ndan përgjysmë pronësinë dhe ka njohur rritje të qëndrueshme të aktivitetit vit pas viti, duke qenë sipërmarrja më novatore dhe serioze në segmentin ku vepron.Në vitin 2017, shoqëria kishte një qarkullim vjetor prej 3.6 miliardë lekësh, ndërsa fitimet u rritën në rreth 200 milionë lekë (rreth 1.6 milionë euro). Shoqëria tjetër, R&S FARMA, e krijuar në 2014-n, me aktivitet “Tregti me shumicë e pakicë të medikamenteve, artikujve farmaceutikë e kozmetikë”, ka vijuar rritjen e shpejtë edhe në 2017-n, duke arritur në një qarkullim vjetor prej 624 milionë lekësh.
6. Donike Gega
Donike Gega zotëron 100% të aksioneve të GEGA CENTER GKG, kompani e cila është krijuar në vitin 2006 dhe si aktivitet ka “Tregtimin me pakicë të karburanteve e lubrifikanteve, pikë gazi e transport i tij”. Ajo është bërë aksionere e kompanisë që prej fillimit të vitit 2012. Znj. Gega operon në biznesin familjar të tregtimit të naftës, teksa është administratore edhe e Gega Oil dhe anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të “Genklaudis”, një prej sipërmarrjeve më të mëdha të tregtimit me shumicë të naftës në vend. Për vitin 2017, të ardhurat e GEGA CENTER GKG ishin 3.7 miliardë lekë, ndërsa fitimet arritën në rreth 111 milionë lekë (rreth 870 mijë euro). Kompania ka parë rritje të shpejtë të të ardhurave në tre vitet e fundit, ndërsa kishte 313 punonjës.

7. Donika Mici
Donika Mici është një prej sipërmarrëseve të para në vend, që kompaninë Donianna e transformoi nga një aktivitet fason, në një biznes të mirëfilltë prodhues me cikël të mbyllur. Ajo është punëdhënësja më e madhe femër në vend, me rreth 1500 të punësuar në Donianna, Albanian Shoes Coorporation 2, Dophil, Rozimpex. Të ardhurat e 4 kompanive ishin rreth 2.9 miliardë lekë në vitin 2017, ku më e madhja është Donianna, me një qarkullim vjetor prej 1.8 miliardë lekësh. Fitimet para taksave të tre kompanive ishin 60 milionë lekë.Krahas këpucëve, znj. Mici ka hapur në vitin 2016 aktivitet për prodhimin e çantave të lëkurës, nëpërmjet DonaElegant, nga i cili në 2017-n realizoi 85 milionë lekë të ardhura. Në korrik të 2018-s, znj. Mici ka kaluar 50% të kuotave të saj tek Rozimpex tek e bija, Dorina, në një vazhdimësi të aktivitetit po nga femra. Edhe aksioneri tjetër i Rozimpex, Luigi Russo, ka shitur kuotën e tij prej 50% të aksioneve, ndërsa si ortake ka hyrë Hëna Hoxha.

8. Mimoza Çobo
Znj. Mimoza Çobo është aksionere e shoqërisë D E N I S A, e krijuar në vitin 2005, duke pasur një aktivitet të qëndrueshëm në vite. Kompania, sipas ekstraktit në QKB, ka aktivitet në tregti, import-eksport njëkohësisht dhe prodhim: të artikujve të ndryshëm industrialë, artikujve ushqimorë, kancelari dhe artikuj, konfeksione e tekstile, makineri e pajisje. Për vitin 2017, të ardhurat e subjektit ishin 2.5 miliardë lekë, ndërsa fitimi para taksave arriti në 71 milionë lekë.
9. Nertila Kole
Nertila Kole është një hyrje e re në listën e sipërmarrëseve femra më të mëdha për 2017-n, me aktivitet në fushën e turizmit. Ajo është aksionere e vetme e Travel Hub Solutions, themeluar në prill 2014 (znj. Kole i bleu aksionet në mes të 2017-s). Travel Hub Solutions zotëron 49% të aksioneve të shoqërisë së fluturimeve Alba Ëings, që ka njohur rritje të shpejtë në tregun e fluturimeve ajrore dy vitet e fundit, duke pasur si destinacion kryesor qytetet e Italisë. Qarkullimi vjetor i Alba Ëings ishte 2.5 miliardë lekë në 2017-n, në katërfishim në raport me vitin e mëparshëm, ndërsa fitimet ishin 156 milionë lekë (1.2 milionë euro). Alba Ëings shënoi rritje të peshës së tregut në 8% të totalit të fluturimeve në 2017-n, sipas numrit të pasagjerëve në 2017-n, nga 2% vitin e mëparshëm, sipas të dhënave zyrtare nga Tirana International Airport. Ndërsa në gusht 2018, pesha e tregut arriti në 15% sipas statistikave të Autoritetit të Aviacionit Civil.
10. Romina Ylli
Romina Ylli (Shemaj) është një tjetër femër në listën e sipërmarrëseve më të mëdha në vend për nga xhiro, me aktivitet në fushën e hidrokarbureve. Ajo është aksionere e vetme e kompanisë së tregtimit me shumicë të karburanteve AFT, në gjurmën e aktivitetit të familjes, ku “Shemaj sh.p.k.”, që prej vitit 1994, kishte aktivitet në sektorin e tregtimit me pakicë të naftës. Në vitin 2017, të ardhurat e AFT arritën në 2.5 miliardë lekë, ndërsa fitimet para taksave ishin rreth 21 milionë lekë.
