Ditën e sotme në emisionin "Zonë e lirë" ka qenë i ftuar këngëtari shumë i dashur për publikun Kastro Zizo. Teksa është pyetur në lidhje me tema të ndryshme të aktualitetit në Shqipëri, Kastro ka rrëfyer përpara të gjithëve se do të kandidojë për kryetar bashkie në qytetin e Përmetit.

“Nuk po flas për në bashkinë e Tiranës, por e kam fjalën që mund të kandidoj për Përmetin. Të gjithë e dinë që unë jam me prirje të majta dhe mund ta shikoj që të kandidoj si kryetar bashkie atje për LSI. Por nuk mund të flas ende pa folur me zonjën Kryemadhi apo me kryesinë e kësaj partie”, është shprehur Kastro, duke e bërë të qartë se ka ndërmend të kandidojë për kryetar të bashkisë në Përmet.

Lidhur me këtë çështje, Arjan Curri që ka qenë i ftuar në studio, i ka thënë Kastros se do t’i japi votën pasi është nga Përmeti dhe pashaportizimin e ka akoma atje. “Ka ardhur një kohë që pushteti po shkon drejt artistëve, kështu që pse jo, do votoj Kastron”, tha Curri.





