Për të gjithë ata që kanë pasur gjithmonë ëndërr që të jetojnë në Itali, një mundësi shumë e artë ka ardhur së fundmi nga ana qytetit të Tarsias në Kozencas të Kalabri. Kryebashkiaku i këtij qyteti Roberto Ameruso për të rikthyer popullsinë e re në qytetin e tij ka vendosur që të gjitha banesat e braktisura ti shesë për çiftet e rijnë me çmimin simbolik 1 euro.

Duke qenë se tani në qytetin e Tarsias kanë mbetur pak më shumë se dy mijë banorë ai ka vendosur që të ripopullojë qytetin nëpërmjet kësaj oferte joshëse.

“Kemi regjistruar pasuritë e paluajtshme që janë braktisur. Për momentin kemi regjistruar disa dhjetëra ndërtesa që janë pasuri e personave që nuk kanë më interes që t’i mbajnë sepse jetojnë prej kohës larg nga Kalabria. Kemi skicuar një rregullore për t’i marrë këto shtëpi e për t’i bërë pjesë të pasurisë komunale. Hapi i radhës do të jetë miratimi i një paketë për çiftet e reja", ka treguar Ameruso.

Por pavarësisht se këto shtëpi do të shiten për 1 euro, kryebashkiaku ka theksuar se gjendja e tyre nuk ëhstë aspak e mirë pasi ato janë të rrënuara dhe banesa të dorës së dytë.

“Duhet të bëjmë gjithçka për t’i dhënë sërish jetë vendit. Nuk mendojmë vetëm për rigjallërimin e ndërtesave, por edhe për nisjen e sipërmarrjeve të reja, duke vlerësuar pasurinë natyrore dhe kulturore të vendit", përfundoi ai.





