Nga Shqipëria / E Diel 28 Tetor 2018, 16:04

Zonja Tefta e quajti skandaloz, Renato Mekolli bën reagimin e fortë

Që pas fillimit të emisionit "Hell’s Kitchen" në Top Channel, shefi i njohur Renato Mekolli është përballur me një serë kritikash dhe sulmesh nga ana publikut dhe personazheve publike. Deklarata e Zonjës Tefta pak ditë më parë, ku ajo e quante sjelljen dhe hedhjen e ushqimit në kosh nga ana e Mekollit skandaloze, bëri bujë në të gjitha mediat.

Renato Mekolli në një intervistë për "Revistën Who" i ka kthyer përgjigjen e papritur Zonjës Tefta, duke thënë se ajo nuk është një shefe kuzhine dhe se ka idenë se çfarë ndodh brenda një kuzhine restoranti.

"Zonja Tefta? Po kush është Zonja Tefta? Se Zonja Tefta me sa di unë nuk është shefe kuzhine, është një personazh televiziv, që krihet bukur, që vë make up-in bukur, që i ka thonjtë e lyer, me byzylykë dhe gatuan bashkë me prezantuesen ose nëpër restorante të tjera me njerëz të njohur. Në qoftë se e ke fjalën për Zonja Teftën, komente të tilla nuk më interesojnë aspak sepse Zonja Tefta nuk e di se çfarë do të ndodhë brenda në një kuzhinë, nuk e ka idenë dhe këta njerëz mua nuk më interesojnë. Patjetër që mua më bezdis kur thonë kemi shumë merak sesi do të jetë e ardhmja e atyre që e kanë pasion këtë gjë dhe nëse do ndikoj negativisht për studimin e tyre në kuzhinë. Nëse ne presim nga një ‘reality shoë ’ gatimi, – i cili të tregon se çfarë ndodh në një kuzhinë, tensionin, presionin për t’i bërë gjërat mirë dhe në kohë – që mos studiojnë për kuzhinë, atëherë më mirë mos shkojnë fare. Duhet të dinë dhe të jenë shumë të qartë të gjithë, që kjo gjë nuk është as shaka, as lojë. Ne kemi një problem shumë serioz që nuk ka profesionistë dhe duke qenë se nuk ka profesionistë, është bërë i gjithë ky lëmsh sa në çdo restorant që shkojmë themi që nuk hahet mirë. Patjetër që nuk hahet mirë, përderisa ne i përkëdhelim. Realiteti është ky që shikoni në “Top Channel” dhe në “Hell’s Kitchen”. Kujt i pëlqen le ta shikojë, kujt nuk i pëlqen të ndërrojë kanalin", është shprehur Renato.