Të premten e kaluar në "Top Channel" ka nisur emisioni më i ri i cili titullohet "Hell’s Kitchen" dhe moderohet nga Renato Mekolli. Puntata e parë e këtij reality show nuk u prit mirë nga publiku dhe personazhe të njohur të cilët reaguan dhe kritikuan ashpër sjelljet agresive të Renatos.

Mirëpo së fundmi për një prononcim për revistën “Class”, Renato u ka kthyer përgjigje të gjithë kritikuesve duke sqaruar një herë e mirë sjelljen e tij në program.

“Masakrim komplet… Një javë ka kaluar dhe çdo ditë në media shkruhet, gjithsesi unë jam i qetë dhe jam shumë mirë” – shprehet ai, ndërsa nuk le edhe pa falenderuar të gjithë ata që e kanë përkrahur duke kuptuar edhe formulën e emisionit.

Por ai shtoi se pavarësisht kësaj në të vërtetë ai në punë nuk toleron asnjë gabim.
“Unë jam shumë kërkues në punë, nuk toleroj, sado që mund ta tejkaloj ndonjëherë limitin. Ndërsa jashtë pune jam njeri shumë normal dhe i qetë. Ky është një format i blerë në të cilin zbatohet gjithçka, ndërsa sa i përket shefit – çdo shef është pak i çmendur dhe patjetër që reagon në kuzhinë, por në mënyra të ndryshme” – thotë shefi për revistën “Class”.





