Aktori i njohur i spektaklit "Duplex", Eglein Laknori është padyshim një ndër personazhet më simpatik në ekranet shqiptare. Ai me batutat dhe humorin e tij ka arritur të rrëmbejë zemrat e publikut dhe të pëlqehet shumë.

Ditën e sotme Egi ka qenë i ftuar në emisionin ‘Rudina’, ku dhe ka zbuluar diçka më shumë për jetën e tij private dhe për bashkëshorten e tij. Siç dihet ai prej vitesh është i martuar me Anën dhe historia e tyre e dashurisë ka nisur në mënyrën më të çuditshme të mundshme.

“Ne kemi 5 vite që njihemi me njëri-tjetrin, por kemi dy vite martesë. Propozimi ishte i natyrshëm, e gjithë marrëdhënia ka ardhur natyrshëm. Lidhja jonë ishte spontane, nga një puthje në vetull dhe duke zbrit më poshtë. Puthja e parë është shkëmbyer në një lokal tek Liqeni. Unë kam një parim në jetë, më pëlqen t’i vlerësoj njerëzit ashtu siç janë dhe jo siç i dua unë të jenë dhe Anën e dua kështu siç është”, tha Egi.

Ndërsa nga ana tjetër bashkëshortja e tij Ana ka treguar se dashuria e Egit e bëri të kalonte të gjitha problemet që ajo kishte me ankthin.
“Në kohën kur unë u njoha me Egin nuk kam qenë mirë nga ana shëndetësore, kam patur çrregullime me ankthin aq sa më ikte edhe memoria ndonjëherë. Njohja jonë ka ndodhur në këtë periudhë të vështirë të jetës time dhe Egi ka qenë shumë afër meje, që do të thotë ai tregon një anë njerëzore. Ne nuk kishim kohë të dukeshim bukur para njëri-tjetrit, jemi njohur në kohë të vështirë dhe kemi hyrë drejt e në temë. Duke qenë se ne e duam natyrën edhe dasmën vendosëm ta bëjmë në natyrë”, – u shpreh Ana.






