Nga Shqipëria / E Martë 16 Tetor 2018, 14:02

Nuk ju kishte shkuar mendja, ja cili është qyteti shqiptar ku njerëzit martohen më shumë

Sipas të dhënave të publikuara së fundmi nga "INSTAT" numri i martesave në vendin tonë ka rënë drastikisht që nga viti 2013. Shumë të rinj nuk e marrin më iniciativën për të krijuar një familje dhe kjo gjë e ka çuar numrin e martesave në gjendjen civile në 22.5 mijë martesa për 2017.

Që nga viti 2013 ka një rënie prej 5,7%. Mirëpo ndryshe nga shumë qytete të tjera të Shqipërisë, qyteti i Lezhës nuk e ka humbur ende besimin tek martesa.

Rekordin me martesat më të shumta në vend e mbajnë lezhjanët me numrin më të lartë të martesave të lidhura për 1000 banorë në 2017-n, shkruan Monitor. Sipas të dhënave që ka publikuar nga INSTAT norma e martesave në qarkun e Lezhës ishte 10.2 për 1000 banorë, ndërsa mesatarja në të gjithë vendin ishte 7.7. Përveç Lezhës, qarqe të tjera që kanë një numër më të lartë se mesatarja kombëtare për martesat e lidhura janë Berati, Dibra, Durrësi dhe Fieri.

Pas tyre renditen Vlora, Shkodra, Kukësi, Gjirokastra dhe Korça.

Rekordin më të ulët për martesat e lidhura gjatë 2017-s e mban kryeqyteti, ku është përqendruar edhe një pjesë e madhe e popullsisë, ku të ardhurat dhe shanset për të gjetur një punë janë më të larta. Por edhe pse ka një perspektivë më të lartë në krahasim me qarqe e tjera në kryeqytetet sipas të dhënave të Instat u lidhën 6.8 martesa për 1000 banorë, apo rreth 4 martesa më pak se në Lezhë.