Së fundmi në të gjitha mediat është komentuar gjatë ardhja e këngëtares kolumbiane, Shakira, në vendin tonë për të marrë pjesë në inaugurimin e "Urës së Ibrit", në Mitrovicë.

Ishte vetë ish ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ai i cili në një postim në rrjetet sociale tregoi se në inaugurimin e kësaj ure do të performojë këngëtarja me famë botërore, madje ai tha se nëse ajo do të vinte në Mitrovicë ura do të marr emrin e saj.

“Pata kënaqësinë të bashkëbisedoj me kryetarin e Mitrovicës, z. Agim Bahtiri, për zhvillimet aktuale në Mitrovicë, ku ai po qeveris në mënyrë të shkëlqyeshme dhe po realizon shumë projekte madhore. Po ashtu biseduam edhe për çështjen e hapjes të Urës së Ibrit, revitalizimi i së cilës ka përfunduar tashmë, dhe u dakorduam që hapja të bëhet me një ceremoni të veçantë, ku do të performoj edhe një këngëtare amerikane, emrin e së cilës do të propozojmë që ta mbaj Ura e Ibrit. Gjithashtu me Agimin, që siç e dini është edhe zëvendëspresident i AKR-së, biseduam edhe për procesin e brendshëm zgjedhor që do ta mbaj AKR-ja, ku do t'iu hapet rruga inkuadrimit të kuadrove të reja që të angazhohen në partinë e vetme që funksionon mbi bazën e vlerave liberale perëndimore.”, thoshte në postimin e Pacollit.
Ndërsa burime për ‘Klan Kosova’ kanë treguar se kjo këngëtare amerikane është pikërisht Shakira, por ende nuk ka diçka konkrete.




