Mbrëmjen e djeshme në emisionin invesigativ "Fiks Fare", u transmetuar historia prekëse e fëmijëve të fshatit Kallëm në Memaliaj, të cilët çdo ditë, në diell dhe në shi, rrezikojnë jetën për të shkuar në shkollë.

Të vegjlit rrezikojnë të mbyten në ujërat e lumit Vjosë pasi e kalojnë atë me një teleferik të sajuar, në mënyrë të tillë që të mos humbasin mësimin. Ata e bëjnë këtë gjë prej 9 vitesh dhe deri tani asnjë institucion nuk ka marrë masat e nevojshme që të ndërtohet një urë që ata të kalojnë pa rrezik.

Siç u shprehen banorët për ‘Fiks Fare’, fshati Kallëm është 2 orë larg Memaliaj dhe kjo pasi makinat e kanë të pamundur të kalojnë sepse rrugët janë të pakalueshme.
Për këtë arsye në mënyrë që fëmijët e tyre të arsimoheshin, banorët e fshati ndërtuan një lundre prej hekuri. Ndërsa në ditët e sotme kjo varkë është kthyer në teleferik ku përmes një koshi metalik hipin 6 deri në 7 persona. Në rast se ndonjëri prej tyre është sëmurë, sajohet një barrelë që varet poshtë saj.

Ndonëse situata është gati tragjike, nënkryetari i bashkisë është shprehur se e ka të pamundur të bëjë një investim të tillë, pasi nevojitet një projekt i mirëfilltë me kosto të larta.
Burimi: Top Channel



