Nga Shqipëria / E Martë 2 Tetor 2018, 15:03

'Ja fshati ku kaloi jetën e vështirë Eleni Foureira', mediat greke vizitojnë Shqipërinë

Këngëtarja me origjinë shqiptare, Eleni Foureira, është një nga  artistet më të njohura në Greqi. Ajo që pas pjesëmarrjes në ‘Eurovizion’ mori një popullaritet të madh dhe origjina e saj shqiptare u diskutua gjatë në mediat e shtetit fqinjë, të cilët nuk ishin dakord që Eleni të përfaqësonte Qipron pasi ishte shqiptare.

Mirëpo pavarësisht kësaj, interesi i fansave për vendlindjen e këngëtares është i madh dhe për këtë arsye emisioni i njohur grek ‘Happy day’ ka vizituar së fundmi fshatin Selisht në Fier ku dhe ka lindur Eleni.

“Ky është fshati ku Eleni Foureira ka kaluar fëmijërinë e vështirë”, e nisë reportazhin gazetari grek. Më pas ata vizituan kryetaren e kësaj njësie administrative, e cila në gjuhën shqipe ka treguar se është shumë krenare për këngëtaren.

“Që do të bëhej kaq e famshme, nuk e besonin as prindërit e saj. Jemi shumë të lumtur për të dhe presim që Eleni të vijë në fshat dhe të mbajë një koncert këtu”, tregoi ajo.

Nga ana tjetër të shumtë ishin edhe banorët që shprehen mendimin e tyre për këngëtaren.

“Siç ke qenë një vajzë e mirë, e edukuar dhe e respektuar, vazhdo të qëndrosh kështu. Ka gjakun e babait tim dhe vlerësim për prindërit e Elenit që kanë rritur atë vajzë.  Mendoj se e ka ndryshuar mbiemrin e saj. Është fëmijë i vetëm, ka lindur këtu. Emrin e vërtetë e ka Entela” -thanë disa prej banorëve që u pyetën nga “Happy Day”.