Tashmë në listën e vendeve ku mund të shkojmë pa nevojën e një vize është shtuar dhe një shtet i Amerikës. Siç është mësuar së fundmi të gjithë shqiptarët do të kenë mundësi të udhëtojnë drejt El Salvador pa pasur nevojë për një vizë por vetëm me pasaportë.

El Salvdor është një shtet i vogël në Amerikën Qendrore. Gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ministri i Jashtëm Ditmir Bushati firmosi këtë marrëveshje për liberalizimin e vizave me homologun e tij të El Salvador Carlos Castaneda, në një takim me të.

Kjo marrëveshje ka si qëllim lehtësimin e qarkullimit të lëvizjes ndërmjet dy shteteve, ndërsa nënshkrimi i saj do të shërbejë si një nxitje e mëtejshme për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

Kështu, sipas njoftimit të Ministrisë së Jashtme do të shtohen mundësitë për shkëmbime ekonomike me përfitime të ndërsjella edhe me vende të largëta si Salvadori, me të cilat më parë nuk kemi pasur marrëdhënie të tilla.

Gjithashtu, u diskutua mbi stadin aktual të marrëdhënieve dhe forcimin e tyre si dhe për kandidaturën e Shqipërisë për një vend jo permanent në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për periudhën 2022-2023.
Burimi: Joq.al.





