Ditën e sotme kryeministri i vendit, Edi Rama, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë çiftet që do të zgjerojnë familjen e tyre në vitin 2019. Ai ka treguar se të gjithë fëmijët që do të lindin vitin e ardhshëm do të marrin një cek me një shumë të konsiderueshme.

“Në vitet 2000 unë pata lançuar si kryetar i bashkisë së Tiranës, çekun e bebes, 50 mijë lekë të vjetra, dhe mbeti aq sa ishte për shumë vite, madje mbeti një problem, dhe në malin e borxheve të mbetura ne kishim edhe një borxh prej 5 milion dollarësh për bebet që nuk e kishin marrë. Borxh që e shlyem. Më e bukura në këndvështrimin tim është ajo që do bëjmë për fëmijët e sapolindur në Republikën e Shqipërisë duke filluar qysh nga 1 janari i vitit të ardhshëm.
Që nga 1 janari i 2019 çdo fëmijë i parë i një çifti do marrë 400 mijë lekë të vjetra, fëmija i dytë 800 mijë lekë të vjetra dhe fëmija i tretë 1 milion e 200 mijë lekë të vjetra.
Çdo fëmijë që lind në maternitet do të regjistrohet direkt aty pa qenë nevoja të shkojë nëpër qendra civile dhe do marrë menjëherë çekun si mirëseardhje në komunitetin tonë.”, ka treguar Rama.

Siç u mësua kjo politikë sociale do të përfshi të gjitha shtresat shoqërore pa përjashtim dhe është ndërmarrë për të stimuluar lindjet pasi vitet e fundit lindjet janë ulur ndjeshëm duke rritur kështu plakjen e popullsisë.



