Mbrëmjen e djeshme në emisionin investigative, “Stop” në “Tv Klan”, u transmetua historia e trishtë e familjes Shima nga Kashari, të cilët prej vitesh jetojnë në varfëri ekstreme. Rrëfimi i tre vogëlushëve të cilët treguan se nuk ngopen asnjëherë me bukë dhe se në shkollë mësuesit i paragjykojnë ka prekur pa masë gjithë publikun, që ka reaguar duke e shpërndarë masivisht historinë prekëse.

"Me net kanë ndenjur pa bukë. Nuk ka prind në botë që ta marrë fëmijën dhe ta fusë me kokë në kazanin e plehrave. Nuk kam mbështetje tjetër se po të kem edhe unë e lej fëmijën. Me të vërtetë nuk di të shkruaj, të lexoj, por një punë për mua nuk e ka shteti? Ndërsa fëmijët thanë se i keqtrajtojnë në shkollë dhe se askush nuk do të rrijë me ta", u shpreh kryefamiljari.

"Pa ngrënë dhe pa pirë dhe shokët më shajnë ‘zhuls’! Mua më vjen shumë keq, edhe babi është shumë keq", tha mes lotësh një prej djemve. "Do bëjë Zoti mirë…", iu përgjigj i ati i përlotur.

"Mua më përplasnin në tavolinën e shkollës. U thosha mos më përplasni se jam gjynah. Edhe mësuesja më kapte nga veshi. Në bankë jam vetëm se nuk më ul mësuesja me shokët. Unë kam qejf të luaj me shokët, por ata nuk pranojnë", rrëfeu djali më i vogël i familjes.

Tre djemtë e vegjël me lot në sy kanë treguar se ëndrra e tyre e vetme është që të kenë bukë, një shtëpi normale dhe libra për të shkuar në shkollë si gjithë bashkëmoshatarët e tyre.




