Ditën e sotme Gjykata Supreme e Prishtinës ka dhënë dhe vendimin përfundimtar lidhur me një sherr që ka ndodhur në një club ku ishte i përfshirë edhe biznesmeni dhe i dashuri aktual i moderatores Luana Vjollca, Krenar Çoçaj, si dhe vëllai i reperit Unikaili, Mentor Palokaj.

Për të akuzuarin, Krenar Çoçaj, prokurori kishte bërë rikualifikimin e veprës penale, nga shtytje në vrasje - në pjesëmarrje në rrahje.

Sipas informacioneve të siguruara nga ‘Kallxo.com’ Gjykata ka dënuar ditën e sotme Krenar Çoçajn me 1 vit burg, së bashku me të edhe Mentor Palokaj është dënuar po me një vit burg.

Sipas aktakuzës më 2 janar të vitit 2015 në një club në Prishtinë, Leonard Hajdari e Mentor Palokaj së bashku me Krenar Çoçaj kanë sulmuar Shkëlzen Shalën. Sherri kishte filluar kur Leonard Hajdari kishte shtyrë Shkëlzen Shalën e më pas Çoçaj ishte vërsulur për ta goditur.

"Atë natë kur kam shkuar me e marrë jaknen kemi pasur një shtyrje me krahë me Shkelzenin. Erdh fundi i natës dhe deshta me shku në shtëpi, u dashke me i kalu gjithë ata njerëz, ndërsa jaknen e kisha diku te bari i DJ, duke shkuar me e marrë jaknen me krahë jemi rrokë, jemi kthy dhe jemi kapë jemi shty. Goditje nuk ka pasur vetëm jemi shty, pastaj hynin kallaballëk njerëz dhe na ndajtën. Ka ardhur pastaj njëfarë sigurimi Keni- Shkelzen Imeri më ka qitë jashtë, ai më ka shoqëru, pastaj menjëherë kam shku në shtëpi", ka thënë Çoçaj lidhur me ngjarjen.


