Një histori shumë prekëse është trajtuar ditën e sotme në emisionin ‘E diela shqiptare’ në rubrikën ‘Ka një mesazh për ty ‘ ku historia e 33-vjeçarit nga Peqini ka përlotur publikun. Ai kishte ardhur në emision për të falenderuar babain e tij, që ishte shkaktari që ai të dënohesh dhe të futësh në burg.
Kjo deklaratë si fillim çuditi publikun, por më pas Rigelsi shpjegoi që ka qenë i alkoolizuar për shumë vite dhe si pasojë e kësaj ai ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij.

Ai ka treguar që e ka konsumuar alkoolin që në moshën 14-vjeçare dhe ishte bërë aq i varur ndaj tij sa që edhe kur u martua dhe bëri fëmijë nuk mundi të hiqte dorë, dhe për këtë arsye një natë ka dhunuar keq babain e tij.
Vëllai i tij e ka denoncuar në polici dhe Rigelsi u dënua me 9 muaj heqje lirie në burgun e Rogozhinës.
Izolimi në burg e bëri Rigelsin të reflektonte thellë për atë që kishte bërë për gjithë këto vite. E ndihmoi të largohej nga vesi, të kuptonte cila është shoqëria që i duhej e të forconte lidhjet shpirtërore me familjen e tij.

“Dy javët e para e kam patur shumë të vështirë sepse mendoja se më braktisën por fatmirësisht jo. Gjatë kohës që isha në burg babi nuk erdhi të më takonte asnjëherë. Pasi dola dhe shkova në shtëpi më hodhi duart në qafë dhe më tha “hajt se i’a dole”. Unë nuk i kërkova falje babait sepse e kisha vendosur që këtë t’ia kërkoja publikisht. Dikur rrija me shoqërinë deri në dy të natës. Gjatë kohës që isha në burg nuk erdhi asnjë të më takonte, e as kur dola.", tregoi i emocionuar 33 vjeçari.

Rigelsi tashmë është rehabilituar plotësisht dhe ka rrëfyer se për më shumë se 30 ditë nuk ka konsumuar alkool. Babai i tij, Ibrahimi është emocionuar shumë nga gjesti i djalit, dhe ndonëse ai episode ka qenë i dhimbshëm për familjen, ai ka treguar se tashmë është i lumtur që djali i tij e ka lënë pas atë vesë.
