Nga Shqipëria / E Diel 15 Prill 2018, 11:11

Fjalë që të përlotin: Poezia e babait të Alban Skënderaj rënqeth një publik të tërë

Mbrëmjen e djeshme në emisionin ‘Dua të të bëj të lumtur’ ishte i ftuar këngëtari dhe kantautori i njohur Alban Skënderaj, i cili surprizoi një nga fanset e tij.

Mirëpo fansja e tij nuk ishte e vetmja që u surprizua, pasi produksioni kishte rezervuar dhe një surprizë shumë emocionuese për vetë Albanin.

Arbana kishte ftuar në emision artistin Çun Lajçi i cili do të interpretonte një poezi që babai i Alban Skenderaj kishte shkruar përpara disa vitesh, kur këngëtari u largua për herë të parë në Itali.

Siç tregoi dhe Albani gjatë atij largimi ai kishte rreth një muaj që nuk kishte kontaktuar me familjarët dhe prandaj i ati kishte shkruar këtë poezi prekëse.

“Unë jam natyrë që emocionoj dhe emocionohem shpejt. Fatkeqësisht jam në luftë të vazhdueshme me emocionet që të mos më rrëmbejnë. Më ktheve pas në kohë dhe më rrëmbeve me interpretimin tënd. Këtë poezi e ka shkruar babai im kur unë u nisa për në Itali dhe kisha më shumë se një muaj pa folur me ata”, u shpreh Albani.

Ndërkohë artisti Çun Lajçi i uroi Albanit që këtë ankth që kishte përjetuar babai i tij, ai mos ta provonte kurrë me fëmijët e tij.

“Shpresoj që ti të bësh çmos që fëmija yt të mos lëvizë nga vendi. Kemi bredhur në shumë vende, por nëse ne jemi ata që e duam Shqipërinë nuk mjafton vetëm fjala. Mjafton bima dhe këto lule që ta zbukurojnë dhe të kemi vërtet një Shqipëri që del nga ato këngë dhe poezi që kemi”. 

Më poshtë do të gjeni poezinë e shkruar nga babai i Alban Skënderaj:

Tri javë pa sy,

Tri javë pa fjalë,

Unë dhe ime shoqe,

Dy të vdekur, gjallë.

Buzët…kapak burgu

Sytë, hije muzgu.

Kthejm’ kryet, shikojm’ nga deti,

Lëkundje, tërmeti

I kthejmë nga qielli, asnjë rreze dielli

Si statuja, ngrirë,

Me zemër të mpirë,

Shikojmë në errësirë.

Deti nxjerr të vdekur,

Ne presim të mekur,

Ne presim një lajm, një lajm për tim bir

Rrëmbyer nga ikja që s’pati mëshirë

Lutemi Zotit, qoftë lajm i mirë!