Nga Shqipëria / E Enjte 12 Prill 2018, 13:01

U vra për hakmarrje, Suedia pendohet që nuk i dha azil Mario Majollarit

Përpara dy ditësh vrasja e 28-vjeçarit, Mario Majollari, për shkak të gjakmarrjes mu në mes të Tiranës, tronditi gjithë opinionin publik dhe të gjitha mediat kanë shkruar pa pushim për këtë rast.

Lajmi i vdekjes së të riut madje është pasqyruar edhe në shtypin suedez, duke qenë se 28- vjeçari kishte aplikuar më parë për azil në Suedi, por ata ja kishin refuzuar dhe pesë ditë pasi u kthye në Shqipëri, ai u qëllua me pistoletë poshtë shtëpisë së tij në Ish-Kinostudio.

Një nga menaxherët e vetëqëndrimit ku rrinte Mario Majollari në Suedi ka treguar për mediat e huaja se ai kishte frik se do e vrisnin: “Ai vazhdimisht thoshte që nëse do ta kapnin, do ta qëllonin”.

Sipas mediave suedeze, Mario kishte aplikuar për azil që në maj të 2014 dhe pavarësisht se ai vazhdimisht tregonte se ishte i kërcënuar që kur babai i tij u arrestua, autoritetet vlerësuan se ai nuk kishte nevojë për mbrojtje. Në gusht të vitit 2015 Bordi i Migracionit i refuzoi kërkesën për azil dhe pavarësisht se 28-vjeçari apeloi përsëri në Gjykatën Supreme të Migracionit,  ju refuzua prapë dhe ai u kthye në Shqipëri.

Ai u njoftua kur mori refuzimin për azil. Tha se nuk mund të qëndrojë në Shqipëri dhe duhet të shkojë në një shtet tjetër për të punuar“, shpjegon Anders Hedqvist.

 

Menaxheri i qendrës së azilit në Suedi ku qëndronte Mario gjatë kohës që shqyrtohej kërkesa e tij, Anders thotë se e kishte ndihmuar 28-vjeçarin të gjente punë të ndryshme dhe mbante kontakte në Facebook me të. Më pas – tregon ai – përmes një miku të tyre të përbashkët mësoi se Mario ishte vrarë.

Për refuzimin e azilit të tij mediat suedeze janë interesuar dhe kanë marrë përgjigje nga Gjykata Supreme, duke u thënë se dëshmia e djalit nuk ishte shumë bindëse prandaj dhe e refuzuan.

Ndërsa zëdhënësja për shtyp e Bordit të Migracionit, Irene Sokoloë thotë se është tragjike ajo që ndodhi në Tiranë.

 “Jam shumë e pikëlluar për këtë që ndodhi. Është jashtëzakonisht tragjike”.

 “Fatkeqësisht ju nuk e besuat dhe menduat se mund të merrte mbrojtje në Shqipëri. Kjo është një provë e qartë se Mario kishte të drejtë në pretendimet e tij, por fatkeqësisht ju i refuzuat gjyqin”. Shprehet avokati i Mario Majollarit në Suedi, Maravgi Staifo.