Nga Shqipëria / E Martë 3 Prill 2018, 14:02

Shokuese: Sherr në autobusin e Vorës, fatorino godet me thikë pasagjerin

Ditën e sotme një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një nga autobusat e linjës Vorë-Tiranë ku fatorino dhe kontrollori pas një sherri me një pasagjerë e kanë goditur atë me thikë. Siç është mësuar sherri ka qenë për motive të dobëta dhe i lënduari ka qenë një 23-vjeçar.

Ndërkohë mësohet se policia ka arrestuar në flagrancë fatorinon Hazbi Begu banues në Fushë- Prezë dhe është vënë në kërkim të kontrollorit  me iniciale C.K, i cili ja ka mbathur.

Ndërkohë 23-vjeçari i lënduar është dërguar menjëherë në spital ku dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi i policisë:

Më datë 02.04.2018, në rrugën dytësore Tiranë – Vorë në autobusin e linjës Tiranë-Vorë, shtetasi R.M., 23 vjeç, banues në Kodër-Kamëz, pasagjer, është konfliktuar për motive të dobëta me fatorinon e autobusit shtetasin Hazbi Begu, 23 vjeç, banues në Fushë-Prezë dhe me kontrollorin e linjës për autobusët shtetasin C.K., 28 vjeç, banues në Tiranë. Më pas shtetasi C. K., në bashkëpunim me shtetasin Hazbi Begu e kanë goditur me mjet prerës thikë shtetasin R. M., i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për kryerjen e veprës penale të “Vrasje me dashje” mbetur në tentativë kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta” parashikuar nga nenet 76-22, 25 dhe 279 të Kodit Penal, në ngarkim të dyshuarve H. Begu dhe C. K.