Për të gjithë ata që nuk e dinë gazetarja e njohur Rudina Xhunga dhe emisioni i saj ‘Shqip’ që transmetohesh dikur në Top Channel ishte një nga konkurrentet e para të emisionit ‘Opinion’ të Bledi Fevziut. Por kjo gjë ndryshoi shumë shpejt kur pronari i Topit, Dritan Hoxha në atë kohë vendosi që ta hiqte Rudinën nga dita e enjte dhe të vendoste Sokol Ballën.

Kjo gjë nuk ishte pritur aspak mirë nga ana e gazetares, e cila në ditën e sotme e përshkruan si një nga ngjarjet më të këqija të karrierës së saj.

E ftuar sot në Thumb ajo është shprehur: “Tani thërret një mbledhje, na mbledh të gjithëve dhe më thotë: dëgjo Rudina, Ti s’mund të jesh Larry King. Larry King-e s’ka. Kështu që atë burrin e të enjtes do të mposhtë një burrë tjetër. E kishte për Sokol Ballën,” tregon Rudina.

Pasi Tani i tha se emisioni i saj do të zëvendësohej nga një burrë, nga Sokol Balla, Rudina mbeti pa fjalë. “Nuk dija ç’ti thosha, si ta bindja që e kishte gabim. Kështu që dola dhe rashë nga shkallët. Aq e tronditur isha,” shpjegon ajo.

Por kur Tani e pa Rudinën në atë gjendje u ndje shumë keq dhe e la emisionin e saj të transmetohej për më gjatë të enjteve dhe më pas 'Shqip' kalojë të hënave ndërsa Top Story u transmetua për shumë vite çdo të enjte. Por sot asnjë nga emisionet nuk ekziston më dhe që të dy gazetarët nuk janë më pjesë e Top Medias.


