Nga Shqipëria / E Hënë 26 Mars 2018, 14:02

I dëbuan nga Gjermania, por familja shqiptare jeton me shpresën se do të rikthehet përsëri atje

Si shumë familje shqiptare edhe familja Greva që përbëhet nga 6 anëtar në vitin 2015 u nisën për një jetë më të mirë në Gjermani për të kërkuar azil. Ndërkohë që udhëtuan më shumë se 40 orë për të arritur atje, ata u strehuan në  një shtëpi të shërbimit social dhe me shumë vështirësi dhe kushte të këqija nisën jetën e tyre atje. Mirëpo pasi kishin filluar të ambientoheshin autoritetet i dëbuan dhe i sollën në Shqipëri, ku sot rrëfehen se ende shpresojnë se një ditë do të rikthehen përsëri në tokën e premtuar.

Në një intervistë për Top Channel, Asja dhe Naisa dy motra të cilat janë nxënëse në shkollën 9 vjeçare ‘Misto Mame’ kanë treguar vështirësitë e tyre në fillim kur familja vendosi të largohej drejt Gjermanisë.

“Janë momente që nuk duam t’i kujtojmë me thënë të drejtën, por u mërzitëm shumë. Kur shkuam në kamp, ndiheshim ashtu si ishim, të huaj”, thonë dy motrat.

Por siç kanë rrëfyer dhe vajzat aje ato u ambientuan dhe filluan që të krijonin shoqëri dhe kthimi në Shqipëri ishte i papritur.

“Atje zumë shumë shoqe të reja dhe stafi i mësuesve ishte shumë mikpritës. Kemi ende kontakte me shoqërinë që krijuam atje”, thotë vajzat.

Ndërsa babai i tyre Genci, i cili ka qenë një oficer policie por në vitin 2015 ngeli papunë ka rrëfyer për ‘Top Channel’ se në Gjermani nisi të bënte çdo llojë pune, duke qenë se nuk kishte një zanat të caktuar.

“Kemi ndenjur gati dy muaj në kam që ishte një pjesë shumë e vështirë, pasi duhet të ndanim hapësirën e vogël me njerëz që nuk i njihnim, nga vende të ndryshme të botës”, tha Genci.

Por Genci tregon me keqardhje se pasi ata ishin sistemuar shumë mirë autoritetet vendosën që vetëm Genci mund të qëndronte në Gjermani dhe familja e tij duhet të kthehesh në Shqipëri.

“Ishte ora 4 e mëngjesit, kur erdhi policia në shtëpi dhe më tha se ti ke të drejtë të qëndrosh në Gjermani, ndërsa familja juaj duhet të largohet”, tregon Genci.

Por çfarë u bëri përshtypje nga vendi i huaj?

“Edukata, respekti për njëri-tjetrin, ngrohtësia dhe mikpritja e tyre”, thonë Asja dhe Naisa.

Sot Genci dhe bashkëshortja janë të dy në punë e fëmijët nëpër shkolla, me ëndrrën për t’u kthyer në tokën që e prekën një herë.